Qeveria e Shqipërisë vendos mbylljen e platformës TikTok për 12 muaj
Në një vendim të marrë gjatë mbledhjes së qeverisë së Shqipërisë këtë të enjte, platforma e njohur e mediave sociale TikTok do të bllokohet për një periudhë 12-mujore.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi se ky vendim vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga prindërit dhe ekspertët në lidhje me efektet negative të mundshme të platformës tek fëmijët dhe të rinjtë.
“Qeveria ka ndërmarrë një seri vendimesh të rëndësishme sot. Së pari, kemi marrë vendimin për shmangien e masave të përkohshme për shkak të vendimeve negative të platformës TikTok. Ne kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me prindërit për efektet negative që mund të sjellin te fëmijët rrjetet sociale. Kemi vendosur për mbyllje te përkohshme. Brenda pak ditësh ndërpritet aksesi. Kufizim aksesi për një periudhë 12 mujore që do na lejojnë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Është vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve, të rinjve,” deklaroi ministrja Manastirliu.
Vendimi i qeverisë vjen pas një periudhe konsultimesh me prindërit, të cilët kanë shprehur shqetësime lidhur me përmbajtjen e papërshtatshme, sfidat e rrezikshme dhe ndikimin negativ që TikTok mund të ketë në zhvillimin e fëmijëve.
Gjatë periudhës 12-mujore të bllokimit, qeveria synon të punojë ngushtësisht me përfaqësuesit e TikTok për të gjetur zgjidhje që sigurojnë një mjedis më të sigurt për përdoruesit e rinj. Ky vendim reflekton shqetësimin e qeverisë për të mbrojtur interesat e fëmijëve dhe të rinjve në botën digjitale.