Edon Zhegrova gjithnjë e më afër Serie A 

03.03.2025

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, mund të jetë shumë pranë një transferimi të rëndësishëm në karrierën e tij, duke kaluar në elitën e futbollit italian, Serinë A.

Sipas raporteve të fundit, Zhegrova ka njoftuar presidentin e klubit të tij aktual, Lille, Olivier Letang, se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij, e cila skadon në verën e vitit 2025.

Klubi francez ka vendosur një çmim prej rreth 40 milionë eurosh për të liruar sulmuesin kosovar, një shifër që duket se nuk e ka penguar Napolin në ndjekjen e tij. Mediumi italian “Calciomercato” ka raportuar se drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, është në negociata të avancuara me menaxherin e Zhegrovës për një transferim të mundshëm. Nëse marrëveshja finalizohet, Zhegrova do t’i bashkohet skuadrës napolitane, duke sjellë një dimension të ri në sulmin e tyre, ku kohët e fundit janë vërejtur mungesa.

Zhegrova, i cili aktualisht po rikuperohet nga një lëndim i pësuar në dhjetor, ka shfaqur një formë të shkëlqyer përpara se të lëndohej. Ndeshja e tij e fundit në kampionatin francez ishte kundër Marseilles më 14 dhjetor. Deri më tani, ai ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 2 asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat, duke dëshmuar se është një lojtar i rëndësishëm dhe i aftë për të bërë diferencën.