Suhareka me 3,167 vota nga diaspora, mes komunave më të votuara në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot procesin e numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë nga diaspora, një proces që mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës, votuesit nga diaspora kanë dërguar fletëvotime për të gjitha komunat e vendit, ndërsa Suhareka ka grumbulluar gjithsej 3,167 vota, duke e renditur atë ndër komunat me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve nga jashtë.
Në krye të listës qëndron Prizreni me 4,901 vota, i ndjekur nga Prishtina (4,851 vota) dhe Gjilani (4,480 vota). Ndërkaq, Peja (4,362 vota) dhe Gjakova (4,156 vota) kompletojnë pesë komunat me më së shumti vota të ardhura nga jashtë.
Përfshirja e madhe e diasporës në zgjedhje dëshmon interesimin e vazhdueshëm të mërgatës për proceset politike në vend. Me mbi 3,000 vota, Suhareka konfirmon një mobilizim të lartë të bashkatdhetarëve, që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Ky proces vjen pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku qytetarët vendosën për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Me numërimin e votave nga diaspora, pritet që të kemi një pamje më të qartë të fituesve dhe ndryshimeve eventuale në mandatet e partive politike.