Ministrja Haxhiu: Sami Lushtaku tentoi të sulmojë eskortën e kryeministrit

28.01.2025

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku pretendon se Sami Lushtaku ka tentuar të sulmojë eskortën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas saj, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, dhe Lushtaku dyshohet se ka përdorur një veturë zyrtare për këtë veprim.

Në postimin e saj, Ministrja Haxhiu shkruan:

“Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar të sulmojë eskortën e Kryeministrit. Ai me veturë zyrtare, 02Z, të Komunës së Skënderajt, e ka pre rrugën e veturës së Kryeministrit me qëllim sulmin.”

Ajo gjithashtu ka hedhur akuza ndaj disa gazetarëve, duke iu referuar pyetjeve që këta të fundit i kanë drejtuar Kryeministrit për përdorimin e veturave zyrtare. Ministrja sugjeron se këto pyetje duhet t’i adresohen Lushtakut në lidhje me përdorimin e burimeve komunale.

“Dëgjova që disa gazetarë të Klan Kosovës e kanë pyetur Kryeministrin se po i përdorë veturat zyrtare, ndoshta është mirë me e pyetë Saminë se prej cilës pompë të benzinës i ke komandu huliganët tu, para se të nisesh si i frustruar,” ka shkruar Haxhiu.

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga ana e Sami Lushtakut, Komuna e Skënderajt, apo institucione të tjera lidhur me këto pretendime. Gjithashtu, nuk janë publikuar detaje shtesë nga autoritetet për ngjarjen e përshkruar nga Ministrja Haxhiu.