Hulumtim shqetësues: 53% e nxënësve të moshave 13-14 vjeç përdorin cigare elektronike
Një hulumtim i realizuar për herë të parë në Kosovë nga një grup nxënësish të shkollës fillore “Elena Gjika” ka zbuluar se 53% e të anketuarve të moshës 13 dhe 14 vjeç përdorin cigare elektronike.
Kjo shifër alarmante ka ngritur shqetësime të mëdha, si në mesin e mësimdhënësve, ashtu edhe te ekspertët shëndetësorë.
Përdorimi i cigares elektronike është një dukuri që po përhapet me shpejtësi, duke përfshirë edhe të miturit. Një grup nxënësish të shkollës fillore, së bashku me mësimdhënësin e tyre Zymer Cakolli, vendosën të realizojnë një anketë për të zbuluar përmasat e kësaj dukurie.
“Ne e kemi bërë këtë hulumtim për të parë se sa bashkëmoshatarët tanë përdorin cigaren elektronike, dhe rezultati ishte shumë i lartë,” tha Zgjim Gërvalla, një nga nxënësit e përfshirë në projekt.
Mësimdhënësi Zymer Cakolli e cilësoi situatën si shumë shqetësuese, duke theksuar se më shumë se gjysma e të anketuarve rezultuan përdorues të cigareve elektronike. “53%, i bie të jetë çdo i dyti apo i treti i mitur. Kjo është shumë shqetësuese. Qëllimi ynë është ta ndalojmë këtë dukuri, dhe institucionet duhet të mobilizohen për të gjetur një zgjidhje. Aktualisht, jemi duke përgatitur edhe pjesën e dytë të hulumtimit për të parë nëse numri i përdoruesve është rritur apo zvogëluar,” tha Cakolli.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i hulumtimit ka qenë sensibilizimi i të miturve për rreziqet e përdorimit të cigareve elektronike dhe ndërgjegjësimi i institucioneve për të ndërmarrë masa parandaluese.
Pulmologët, ndërkohë, po e paralajmërojnë publikun për dëmet e mëdha shëndetësore që shkakton përdorimi i cigareve elektronike, veçanërisht te të miturit.
“Kryesisht këtë cigare e konsumojnë të miturit, dhe kjo shkakton dëme shumë të mëdha, pasi në atë moshë ata janë ende duke u zhvilluar. Cigarja elektronike pengon sistemin respirator,” tha pulmologu Flamur Marku.
Sipas tij, dëmi nga cigaret elektronike është i njëjtë me atë të cigareve tradicionale. Kjo dukuri shqetësuese kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet dhe shoqëria për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve në Kosovë.