Kaloi kufirin ilegalisht, ndalohet nga Policia e Kosovës shtetasi serb

23.01.2025

Një shtetas serb është ndaluar nga policia në pikën kufitare të Koshuticës, pasi dyshohet se ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më datë 22 janar rreth orës 18:45.

Sipas njoftimit të policisë, një automjet me targa të Serbisë është ndaluar gjatë një patrullimi rutinë. Pas kontrollit të dokumenteve të drejtuesit, policia ka dyshuar se ky i fundit ka hyrë në Kosovë në kundërshtim me rregullat e përcaktuara.

“Pas intervistimit të të dyshuarit, me vendim të prokurorit ai është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në njoftim nuk janë dhënë detaje të mëtejshme rreth identitetit të personit të ndaluar apo rrethanave të kalimit të paligjshëm të kufirit.