Kolgeci: Mungesa e profesionalizmit kërcënon jetët, rruga Skënderbeu, një shembull tragjik!
Pas dy aksidenteve të raportuara sot në Rr. Skënderbeu nga SuharekaOnline ka reaguar edhe eksperti i komunikacionit, Selman Kolgeci.
Eksperti i komunikacionit, Selman Kolgeci, ka ngritur alarmin për gjendjen alarmante të sigurisë në rrugën Skënderbeu, duke e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e profesionalizmit dhe mosrespektimin e normave të projektimit dhe ndërtimit.
Në një reagim të detajuar, Kolgeci thekson se ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur për problemet e shumta të kësaj rruge, duke përfshirë formën joadekuate të elementeve të rrugës dhe gjeometrinë e rrezikshme. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar situatën.
Dy aksidente brenda një dite janë dëshmi e qartë e rrezikut që përbën kjo rrugë. Fatmirësisht, nuk ka pasur viktima, por kjo nuk është arsye për të nënvleftësuar problemin. Sipas z. Kolgeci, kjo nuk është hera e parë që ndodhin aksidente në këtë rrugë, duke e bërë edhe më të nevojshme një ndërhyrje urgjente.