Pavarësisht investimeve banorët e Peqanit të zhgënjyer nga furnizimi me energji elektrike

31.12.2024

Përkundër investimeve të mëdha në infrastrukturën elektrike të fshatit Peqan, situata me furnizimin e energjisë elektrike vazhdon të jetë tejet shqetësuese.

Megjithëse rrjeti i ri dhe modern është vendosur në funksion, banorët po përballen me të njëjtat probleme që kanë ekzistuar edhe më parë.

Peqani është pjesë e një linje 10 kV që furnizon edhe fshatrat Shllapuzhan, Duhel, Bllac, Semetisht, Nishor dhe Breshanc. Por kjo ndarje e linjës po rezulton më shumë pengesë sesa përfitim. Një defekt i vogël në ndonjërin prej këtyre fshatrave shkakton ndërprerje të menjëhershme të energjisë në të gjithë linjën, përfshirë edhe Peqanin.

Banorët janë të zhgënjyer nga fakti që, edhe pse rrjeti i Peqanit është përmirësuar me investime të konsiderueshme, problemet e vazhdueshme në furnizim nuk kanë gjetur zgjidhje. Për shumëkënd, është e pakuptueshme sesi një fshat me një rrjet të ri elektrik vuan pasojat e defekteve që ndodhin në territore të tjera.

Kjo situatë ka prekur rëndë jetën e përditshme të banorëve, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, që ndikojnë në aktivitetet shtëpiake dhe ekonomike. Bizneset lokale po përballen me humbje dhe sfida të mëdha, ndërsa banorët e thjeshtë ndihen të lënë pas dore nga institucionet përkatëse.

Në një reagim të përbashkët, banorët e Peqanit i kanë bërë thirrje KESCO Energy dhe KEDS Energy që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të rishikuar strukturën e furnizimit me energji elektrike për fshatin. Ata kërkojnë ndarje të Peqanit nga linja e përbashkët ose implementimin e një zgjidhjeje që garanton stabilitetin e furnizimit.

“Investimi në rrjetin e ri nuk mund të mbetet thjesht një fasadë, ndërsa problemet e vjetra vazhdojnë të na ndjekin. Peqani meriton furnizim të qëndrueshëm dhe një trajtim të drejtë,” thuhet në reagimin e tyre.

Kjo çështje është bërë alarmante, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e investimeve të realizuara deri më tani. Banorët e Peqanit kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe situata të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse. Fshati ynë meriton një të ardhme më të mirë dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike!