Ministrja Haxhiu prezanton punën njëvjeçare, adreson kritika ndaj Prokurorisë Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur sot konferencën e fundvitit, ku përmblodhi punën dhe të arriturat e këtij dikasteri gjatë vitit 2024 dhe gjatë mandatit të saj.
Në fjalën e saj, Haxhiu vuri theksin te reformat kryesore, sfidat dhe përparimet në drejtësi, duke nënvizuar rëndësinë e procesit të vetingut dhe pakos ligjore kundër korrupsionit.
Haxhiu theksoi se procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë ka qenë ndër hapat më të rëndësishëm të ndërmarrë nga kjo ministri, pavarësisht sfidave dhe rezistencës së hasur. “Reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë. Kjo është thelbësore për të siguruar një drejtësi të pavarur, të besueshme dhe efikase,” tha ajo.
Gjatë konferencës, ministrja përmendi arritje si:
Ligjin për Byronë për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme,
Miratimin e ligjit për gjykatën administrative,
Themelimin e Gjykatës Komerciale, dhe
Miratimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale, që përfshin mundësinë e gjykimeve në mungesë për krimet e luftës.
Ajo gjithashtu njoftoi për themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës, duke e cilësuar këtë si një hap thelbësor për adresimin e së kaluarës dhe ndërtimin e drejtësisë tranzicionale.
Haxhiu adresoi edhe çështjen e ftesës së Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti. Ajo kritikoi kryeprokurorin Blerim Isufaj për këtë veprim, duke e quajtur atë një lëvizje me prapavijë politike. “Qëllimet janë të qarta, siç ka thënë edhe kryeministri, që të shihet Kurti duke hyrë në Prokurorinë Speciale për një aferë të supozuar korruptive,” tha ajo.
Ministrja veçoi punën e bërë për adresimin e dhunës në familje dhe atë me bazë gjinore, duke e cilësuar këtë si një ndër prioritetet kryesore. Ligji për shërbimet sociale dhe familjare u konsiderua gjithashtu një arritje e rëndësishme për përmirësimin e këtyre shërbimeve.
Haxhiu falënderoi të gjithë partnerët dhe mediat për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. “Këto vite kanë qenë një periudhë ndryshimesh të rëndësishme. Falë punës së përbashkët, kemi bërë hapa të mëdhenj përpara,” përfundoi ajo.