Gjatë nëntorit Kosova rriti eksportin e mallrave 22.8 për qind më shumë se vitin e kaluar

21.12.2024

Tregtia e jashtme e Kosovës ka treguar shenja pozitive në muajin nëntor 2024.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar ka shënuar një rënie prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kështu, në nëntor 2024, deficiti tregtar ka arritur në 473 milionë euro, një përmirësim në krahasim me 517.3 milionë euro të regjistruara në nëntor 2023. Ky rezultat pozitiv tregon se eksportet e Kosovës po rriten me një ritëm më të shpejtë se importet.

Në detaje, të dhënat tregojnë se eksportet e Kosovës në nëntor 2024 kanë arritur në 93.9 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importet kanë shënuar një ulje prej 4.5%, duke arritur në 566.9 milionë euro.

Metalet bazë dhe produktet e tyre, produktet minerale, plastika, goma dhe produktet e tyre, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani janë disa nga sektorët kryesorë të eksportit të Kosovës. Ndërsa, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, produktet minerale, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, mjetet e transportit dhe metalet bazë janë disa nga sektorët kryesorë të importit.

Të dhënat tregojnë se BE-ja dhe CEFTA-ja mbeten partnerët tregtarë më të rëndësishëm për Kosovën. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së kanë shënuar një rritje prej 15%, ndërsa importet nga këto vende kanë shënuar një rritje prej 6.3%.

Në kuadër të CEFTA-s, eksportet e Kosovës kanë shënuar një rritje të konsiderueshme prej 53.9%, ndërsa importet kanë shënuar një rënie prej 5.1%.