Presidentja e Sllovenisë viziton ushtarët e KFOR-it në Kosovë: Kosova ka rëndësi strategjike për Slloveninë
Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, gjatë një vizite në Kosovë, ka nënvizuar rëndësinë strategjike të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor për Slloveninë.
Gjatë vizitës në bazën ushtarake, Presidentja Pirc Musar u takua me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe më pas me komandantin e kontingjentit slloven, nënkolonel Iztok Stavanjo. Ajo u informua mbi misionin, detyrat dhe kushtet e punës së ushtarëve sllovenë në terren.
“Kosova dhe rajoni më i gjerë i Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për Slloveninë”, deklaroi Presidentja Pirc Musar. Ajo theksoi nevojën për përkrahje të vazhdueshme ndërkombëtare për të siguruar stabilitet afatgjatë në rajon, duke vlerësuar misionin e KFOR-it si një ndër shtyllat kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Presidentja shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sllovene, Robert Glavaš, ndërsa në takimin me ushtarët ajo vlerësoi përkushtimin e tyre dhe kontributin që japin në kuadër të misioneve ndërkombëtare.
“Si pjesëtarë të Forcave të Armatosura Sllovene, ju jeni mbrojtës të multilateralizmit, shtylla të paqes dhe mbështetës të vlerave më të larta njerëzore. Ju nuk i filloni luftërat; ato nisen nga politikanë të paarsyeshëm. Më vjen keq që shumë familje këtë fundvit do ta kalojnë pranë rrënojave dhe varreve,” tha Presidentja në adresimin e saj.
Ajo i përgëzoi ushtarët për zgjedhjen e një profesioni fisnik të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, solidaritetin dhe dashurinë për atdheun, duke theksuar kontributin e tyre për më shumë se 25 vjet në misione ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe ndihmën ndaj popullsive vendore.
Në përmbyllje të vizitës, Presidentja Pirc Musar mori pjesë në një koncert të organizuar nga grupi i Ushtrisë Sllovene “Naboj”, dedikuar ushtarëve sllovenë që shërbejnë në Kosovë.