Sllovakia dërgon 150 ushtarë në Kosovë, Fico: Nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Sllovakisë, Robert Fico, ka bërë të ditur se vendi i tij do të kontribuojë me 150 ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Ky vendim vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të tensionuara dhe dialogu për normalizimin e tyre po përballet me sfida të mëdha.
Fico theksoi se dërgimi i trupave sllovake në Kosovë ka si qëllim marrjen e informacionit të drejtpërdrejt nga tereni dhe monitorimin e situatës së sigurisë. Ai shtoi se ushtarët sllovakë do të bashkëpunojnë me forcat e tjera ndërkombëtare në Kosovë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
“Ushtarët sllovakë duan sërish të kthehen në misionin e KFOR-it. Më vjen mirë që pala serbe këtë e pranoi me kënaqësi. Kjo (pjesëmarrja në KFOR, shën.red.) ka shumë rëndësi, sepse kështu do të marrim informacionet objektive që të dimë se çfarë po bëhet atje”, tha Fico për transmetuesin publik serb, RTS.
Megjithatë, Fico theksoi që vendimi për të dërguar trupa në Kosovë nuk do të thotë se Sllovakia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Ai riafirmoi qëndrimin e tij se Sllovakia nuk do të ndryshojë pozicionin e saj në lidhje me statusin e Kosovës.
“Në forume ndërkombëtare na pyesin ndonjëherë se a do ta ndryshojmë mendimin (për Kosovën, shën.red.), se a do ta shohim ndryshe atë çështje, dhe unë u them gjithmonë jo. Derisa të jem kryetar i qeverisë sllovake, nuk do t’i kthehem kurrë asaj teme. Unë natyrisht se dua që ky problem të zgjidhet sa më shpejt”, deklaroi presidenti sllovak.
Vendimi i Sllovakisë për të dërguar trupa në Kosovë ka ngjallë reagime të ndryshme në opinionin publik. Ndërsa disa e kanë mirëpritur këtë vendim si një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon, të tjerë e kanë kritikuar duke e konsideruar si një provokim ndaj Kosovës.