Rrufeja në Gjermani lëndon 10 persona
Rrufeja të hënën në mbrëmje në qytetin lindor të Gjermanisë, Dresden, ka lënduar dhjetë persona, katër prej të cilëve pësuan lëndime të rënda.
Foto: Ilustrim
Sipas një zëdhënësi të shërbimit zjarrfikës, dy burra, 27 dhe 30 vjeç, u reanimuan me sukses pasi pësuan arrest kardiak.
Mes kushteve të rënda të motit dhe një stuhie kalimtare në Dresden, rrufeja goditi grupin në brigjet e lumit Elba pak pas orës 17:00.
Tri gra dhe shtatë burra të moshës 26 deri në 41 vjeç u lënduan. Katër prej tyre kanë pësuar lëndime të rrezikshme për jetën. Sipas raportimeve, të gjithë pacientët kanë marrë ndihmën e parë urgjente mjekësore dhe janë transferuar në spitalet fqinje, raporton DPA.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka dërguar një helikopter për të gjetur persona të tjerë të plagosur. Shërbimet e urgjencës u bënë thirrje njerëzve që kishin qenë në zonë që të kërkonin kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse shfaqnin simptoma.