Vrasja për 20€ borxh në Maqitevë, aprovohen propozimet e palëve e administrohen provat tjera në gjykim
Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha në këtë seancë aprovoi propozimin e prokurorit Metush Biraj, që të administrohet si provë raporti i ekspertizës së Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike, lidhur me telefonat e tipit “Iphone”, pronë e të ndjerit Krasniqi si dhe telefoni “Samsung Galaxy”, pronë e të […]
Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha në këtë seancë aprovoi propozimin e prokurorit Metush Biraj, që të administrohet si provë raporti i ekspertizës së Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike, lidhur me telefonat e tipit “Iphone”, pronë e të ndjerit Krasniqi si dhe telefoni “Samsung Galaxy”, pronë e të akuzuarit Sylejman Ahmetit.
Po ashtu, aty thuhet se është aprovuar propozimi që të administrohen si prova edhe video-incizimet e nxjerra nga DVR “Saturn”, të vendosura në lokalin “Toni”, si dhe raporti i ekspertizës të AKF, i 6 marsit 2020 si dhe disa nga provat e tjera.
Më pas, sipas procesverbalit, është lëshuar në shikim CD nga vendi i ngjarjes, të kapura nga kamerat e sigurisë, nga ku janë shikuar imazhet prej orës 21:46:09 e deri më 21:52:54 sekonda.
Tutje, thuhet se nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar është kërkuar që të jepen tri momente: momenti i parë kur i akuzuari drejtohet për të marrë armën në automjetin e tij, momenti i dytë kur i ndjeri ishte rrëzuar në tokë dhe vazhdojnë të shtënat me armë drejt tij, si dhe momenti i tretë kur pas goditjes së të ndjerit, i akuzuari kthehet dhe sërish e hapë derën.
Sipas procesverbalit, në këtë seancë po ashtu janë administruar si prova edhe raporti mjekësor për të dëmtuarën Kumrije Krasniqi, raportin mjekësor për vajzën e të ndjerit Faziona Krasniqi dhe raporti për njoftimin nga vendi i punës ku ka punuar Kumrija.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, thuhet se në këtë seancë aprovoi propozimin e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Ahmetit, Nazmi Mustafi, që si provë të administrohet alkool-testi i bërë tek i akuzuari pas rastit si dhe mesazhet e këmbyera mes vëllait të të akuzuarit Ahmeti, Nijazi Ahmeti dhe të ndjerit Shaip Krasniqi, para se të ndodhte rasti dhe bishti i sëpatës që e ka pasur në dorë i ndjeri në momentin e vrasjes.
Pasi që më nuk kishte propozime të reja nga palët, seancat e radhës janë caktuar më 26 qershor dhe 12 korrik 2022.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.
Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L. e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqin dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.
Me këto veprime, Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi