PZAP refuzon ankesën e Listës Serbe kundër Vetëvendosjes

17.09.2025

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shpallur të pabazuar ankesën e paraqitur nga Lista Serbe kundër Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), lidhur me pretendimet për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Vendimi është marrë në rastin ZL.Anr.41/2025.

PZAP refuzon ankesën e Listës Serbe kundër Vetëvendosjes

Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, kishte dorëzuar më 17 shtator një ankesë kundër LVV-së, duke e akuzuar se kishte ushtruar presion politik përmes një ankese të mëparshme të paraqitur më 15 shtator. Në dokumentin e tyre, ata e cilësuan këtë veprim si “fyerje të drejtpërdrejtë ndaj përfaqësuesve politikë të komunitetit serb” dhe një “akt të papranueshëm që përbën abuzim me të drejtën e ankesës”.

Qëndrimi i Vetëvendosjes

Në përgjigjen e saj, Lëvizja Vetëvendosje argumentoi se kishte vepruar në përputhje me ligjin, duke theksuar se slogani i Listës Serbe nxit përçarje dhe glorifikon një person të shpallur në kërkim. Sipas LVV-së, ngritja e ankesës ishte veprim i ligjshëm dhe i justifikuar për të adresuar shkelje të mundshme gjatë fushatës.

Vlerësimi i PZAP

Pas shqyrtimit të ankesës, pretendimeve ankimore, përgjigjes së LVV-së dhe provave të bashkangjitura, PZAP konkludoi se Lista Serbe është e pakënaqur me vendimin e mëparshëm dhe se kërkesa e tyre për ta cilësuar veprimin e Vetëvendosjes si shkelje është e pabazuar. Në vendim theksohet gjithashtu se çdo subjekt politik ka të drejtë të shfrytëzojë mekanizmat ligjorë për paraqitjen e ankesave, dhe përdorimi i kësaj të drejte nuk mund të konsiderohet abuzim vetëm pse një ankesë refuzohet.

Ky vendim nënvizon rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore dhe rolin e PZAP-it si organ mbikëqyrës i drejtësisë zgjedhore në Kosovë.

Etiketat

Ofertat e fundit