Google zgjeron projektin Gameface

19.05.2024

Google ka zgjeruar projektin Gameface që synon t’i bëjë pajisjet teknologjike më të qasshme.

Google zgjeron projektin Gameface Foto: Ilustrim

Projekti u prezantua për herë të parë gjatë konferencës Google I/O të vitit 2023 dhe kishte për qëllim t’ua mundësonte njerëzve ta kontrollonin pajisjen e tyre pa duar vetëm me lëvizje të kokës dhe shprehje të fytyrës.

Siç raportojnë mediat e huaja, ky projekt është krijuar kryesisht për njerëzit me aftësi të kufizuara për t’ua lehtësuar përdorimin e pajisjeve teknologjike.

Bëhet e ditur se përmes kamerës së pajisjes, projekti gjurmon shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës, dhe i përkthen ato në veprime.

Për realizimin e tij, gjiganti teknologjik ka bashkëpunuar me organizatën indiane Incluzza.

Ai njeh 52 mimika të fytyrës duke përfshirë ngritjen e vetullave, hapjen e gojës, lëvizjen e buzëve dhe më shumë. Këto lëvizje mund të përdoren për të kontrolluar një gamë të gjerë funksionesh në Android.

Ndryshe, edhe Apple së fundmi ka prezantuar një veçori të re që përdor sytë për të kontrolluar iPhone.