Ujkani: Futbolli na bashkon, t’i tregojmë botës kush jemi

Ujkani: Futbolli na bashkon, t’i tregojmë botës kush jemi

Kosova do të luajë sonte (e mërkurë) në 20:45 ndeshjen e dytë eliminatore të Botërorit në Sevilla ndaj Spanjës e cila nuk e njeh Kosovën si shtet dhe shkaktoi jo pak zhurmë me disa cilësime për përfaqësuesen e Dardanëve.

Në një intervistë për prestigjozen Marca, Samir Ujkani rrëfen jetën e vështirë, vuajtjet, kalvarin e familjes së tij, pavarësisht dhe tashmë futbollin si sportin më me vlera që dëshiron të bashkojë e jo të përçajë, të afrojë dhe jo të largojë.

“Unë humba të afërm në luftë. Kam parë shumë njerëz duke vuajtur për njohjen e këtij vendi dhe gjithmonë kam dashur ta jap një imazh pozitiv për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo është njëra prej synimeve të ekipit kombëtar, e brezit tonë, që t’i tregojmë botës mendësinë tonë, traditat tona dhe se populli i Kosovës është mendjehapur, i kujdesshëm dhe popull i mirë. Dhe futbolli na ndihmon ta bëjmë këtë. Ky duhet të jetë synimi jonë”.

Pas rrëfimit të vështirësive dhe peripecive të kaluara deri sa u bë një lojtar profesionist Ujkani përqëndrohet te përballja me Spanjën ku pohon se një mrekulli mund ta mposhtë skuadrën e Luis Enrique.

“Ne do të mundohemi të bëjmë diçka kundër Spanjës. Kemi nevojë për mrekulli, pasi Spanja është favorite pa dyshim. Spanja identifikohet për futboll të bukur, një gjeneratë e re po vjen. Ne mezi presim të përballemi me ta në fushë.  Ne si një vend i vogël, nuk kemi qindra lojtarë për të zgjedhur. Nëse na mungojnë tre apo katër lojtarë, ne na kushton shumë kjo. Nuk jemi sikur Spanja, ku Luis Enrique thotë se e menaxhon një listë prej më shumë se 70 futbollistësh.”

Gardiani 32-vjeçar i rikthhehet më pas edhe faktit që Spanja ende nuk e njeh Kosovën duke dhënë shembuj se futbolli duhet t’i përmirësojë gjërat dhe t’I afrojë edhe popujt.

“Sporti është i më fuqishëm sesa politika. Deri tani, gjithçka ka shkuar mirë. Kundër Ukrainës (që nuk e njeh Kosovën gjithashtu si Spanja), ne kemi luajtur në Poloni. Sporti i hap dyert, i bashkon vendet dhe njerëzit. Me të gjitha problemet që ekzistojnë, sporti duhet të shërbejë si lehtësim, si qetësi. Duhet ta shijojmë atë”, deklaroi portieri dardan, Samir Ujkani në intervistën e gjatë të dhënë për spanjollen Marca.

RAPORTO