Ujkani: Duhet harruar kjo humbje para ndeshjes me Spanjën
Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Katar 2022”. Dardanët, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri” pësuan humbje nga Suedia, me rezultat të thellë 3:0. Për Suedinë kjo ishte fitorja e dytë, ngase tri ditë më herët shënoi fitore edhe nga Gjeorgjia. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa […]
Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Katar 2022”.
Dardanët, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri” pësuan humbje nga Suedia, me rezultat të thellë 3:0. Për Suedinë kjo ishte fitorja e dytë, ngase tri ditë më herët shënoi fitore edhe nga Gjeorgjia.
Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi para portës mysafire në minutat e para, por në minutën e 17-të suedezët zhbllokuan shifrat. Ishte Viktor Claesson, i cili realizoi pas asistimit të Ibrahimoviqit. Epërsinë në 2:0 mysafirët e shtuan në minutën e 35-të, kur Alexander Ixak shfrytëzoi një tollovi para portës së Ujkanit.
Në pjesën e dytë suedezët arritën ta administrojnë epërsinë e krijuar, derisa në minutën e 70-të i çuan shifrat në 3:0 përmes kapitenit Sebastian Larsson nga pika e bardhë.
Pas ndeshjes, kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani është deklaruar për humbjen.
E humbëm ndeshjen në mënyrë të çuditshme, golat i hëngrëm pa lidhje dhe referi ishte skandal”, deklaroi Ujkani në “SS Kosova”.
“Kemi mundur të bëjmë më shumë, duhet ta pranojmë këtë dhe duhet harruar kjo humbje para ndeshjes me Spanjën”, theksoi portieri i Torinos.
“Nuk kam dëshirë të flasë shumë për referët, por sot ai nuk e respektoi Kosovën”, shtoi Samir Ujkani.
Kujtojmë se ndeshjen e ardhshme Kosova e luan të mërkurën në Sevilla, ku do të përballet me Spanjën.