Rrahmani: Foda duhet të qëndrojë, na ka bërë të besojmë se mund të arrijmë diçka të madhe

23.06.2025

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka komentuar zërat rreth mundësisë së largimit të trajnerit aktual të përfaqësueses, Franco Foda, duke dhënë mbështetje të fuqishme për qëndrimin e tij në krye të ekipit.

Në një intervistë për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Rrahmani theksoi se Foda ka arritur të krijojë një frymë bashkëpunuese brenda skuadrës dhe se është ende herët për ta ndërprerë këtë projekt.

“Normalisht, duhet të qëndrojë Foda. Shpresoj që qëndron, pasi u bë vetëm një periudhë që është trajner i ynë dhe kemi arritur të gjejmë një gjuhë të përbashkët me ekipin. Na ka bërë një grup që na ka bërë të besojmë se mund të arrijmë diçka të madhe. Shpresoj të qëndrojë dhe të arrijmë ndonjë rezultat historik”, deklaroi kapiteni i “Dardanëve”.

Gjatë intervistës, Rrahmani foli edhe për ndikimin që Kombëtarja e Kosovës ka pasur në rrugëtimin e tij profesional. Ai rikujtoi me emocion momentin që ndikoi në transferimin e tij në Serie A, te skuadra italiane Verona.

“Kombëtarja e Kosovës është pjesë shumë e rëndësishme e karrierës sime. Pas ndeshjes me Bullgarinë që e kemi luajtur në Sofje, ka ndodhur transferimi im në Verona. Në atë kohë isha pjesë e Dinamo Zagrebit dhe pikërisht ajo ndeshje ka bërë që trajneri i Veronës të më pëlqejë si lojtar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se ishte ndeshja e fituar 2-3 ndaj Bullgarisë, ku golin vendimtar e shënoi Rashani, që e solli konfirmimin për kalimin e tij në Serie A.

Këto deklarata të kapitenit vijnë në një moment të rëndësishëm për përfaqësuesen, ku vazhdimësia dhe besimi në projektin aktual trajneror shihet si çelës për arritjet e ardhshme.