Kosova U17 e mbyll pa gola edhe miqësoren e dytë me Bullgarinë

Kosova U17 e mbyll pa gola edhe miqësoren e dytë me Bullgarinë
Çlirim Gashi

16.04.2021 / Sport

Kombëtarja e Kosovës U17 ka barazuar pa gola edhe në miqësoren e dytë me Kombëtaren e Bullgarisë të kësaj grupmoshe.

Ashtu sikurse në ndeshjen e dy ditëve më parë, edhe kësaj radhe djelmoshat e rinj dardanë u angazhuan maksimalisht.

Pjesa e parë ishte e baraspeshuar me disa raste shënimi në të dyja anët. Ndërkaq, në pjesën e dytë ishte ekipi bullgar që ishte në kërkim të golit, kjo falë epërsisë numerike në fushë, ngase Arjol Bllaca u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë.

Mirëpo, përkundër presionit të vazhdueshëm të kundërshtarit, futbollistët tanë arritën që me lojë të disiplinuar në mbrojtje dhe përkushtim të madh t’i bëjnë ballë presionit dhe ta ruajnë portën të paprekur.

Përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arsim Abazi, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me lojën e djelmoshave të tij dhe me faktin që edhe ndeshjen e dytë arritën të marrin rezultat pozitiv.

“Paraqitja e sotme ka qenë shumë e mirë. Dëshira dhe angazhimi i lojtarëve për të mbrojtur ngjyrat e vendit të tyre është i jashtëzakonshëm. Të gjithë lojtarët kanë treguar lojë shumë të mirë dhe të disiplinuar, edhe pse më shumë se 25 minuta kemi luajtur me një lojtar më pak.

Por, në atë periudhë të lojës djelmoshat tregun karakter luftarak në fushë dhe arritëm që edhe këtë ndeshje ta mbyllim pa gola. Ashtu sikurse në miqësoren e parë edhe këtë herë i kemi aktivizuar të gjithë lojtarët që kishim në dispozicion dhe me secilin prej tyre jam i kënaqur me atë çfarë kanë treguar.

Tani e kemi një pasqyrë reale të secilit dhe na mbetet që të vazhdojmë me punë për të krijuar ekip sa më konkurrues dhe kompakt”, ka thënë Abazi.

Kosova u paraqit me këtë përbërje: Drin Bajraktari, Bleron Hashani, Alpi Shahini, Igball Jashari, Armos Merlaku, Erion Kajtazi, Erion Mala, Amar Shala, Erald Ajeti, Aridon Racaj, Arjol Bllaca. U inkuadruan edhe: Altin Gjokaj, Argjend Kadriu, Diard Berila, Leon Rashica, Elmedin Rama, Edvin Hodolli, Rrezon Gashi, Pëllumb Gllogu, Art Miftari.

RAPORTO