Herolind Bytyçi
13.05.2019, 16:38

Kosova, tri vjet në FIFA

Sot janë bërë tri vjet qëkur pritjes së gjatë i erdhi fundi. Më 13 maj të vitit 2016 Kosova u bë pjesë e shtëpisë së madhe të futbollit në botë, FIFA.

Në kongresin e 66-të të FIFA-së që u mbajt në atë kohë në Meksikë, delegatët e këtij kongresi kanë votuar për anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Nga 205 delegatë që ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova ka marrë 141 vota ‘pro’  duke u bërë kështu  anëtarja më e re e saj.

Pranimi në FIFA ia mundësoi pjesëmarrjen në kualifikime për Botërorin 2018, edhe pse paraprakisht shorti për grupet ishte hedhur gjashtë muaj më parë. Nga Federata e Futbollit të Kosovës shprehen se gjatë këtyre 3 vjetëve janë kaluar  pritshmëritë, transmeton RTK.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të FFK-së Eroll Salihu, krejt kjo është bërë fal punës së mirë të ish kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri që vitin e kaluar ka ndërrua jetë dhe të kryetarit të tanishëm Agim Ademi. “Ne e kemi ditur gjithmonë, duke pasur parasysh përvojën që kemi pasur, bashkë me të ndjerin kryetarin Vokrrin, e kemi ditur se çfarë benefite ka, të qenit anëtar me të drejta të plota në FIFA e UEFA, dhe ju e shihni vet, ju mediat e keni përcjell çdo proces, përparim i madh është bërë në të gjitha sferat, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në ngritje profesionale të trajnerëve, të lojtarëve, futbollit të femrave, futsallit, pra në të gjitha sferat jemi duke shkuar me hapa të sigurt drejt Evropës”, tha  Salihu. 

LEXO PO ASHTU:  Flamuri i Kosovës valon në Spanjë, sot ndeshja historike e kombëtares tonë