Finalja e madhe në Superligë, Golden Eagle Ylli – Peja

05.05.2021

Ylli i Suharekës dhe Peja do të përballen në finalen e madhe të fazës “Play-Off” në Superligën e Kosovës në basketboll. Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit në udhëtim 72:85 (19:23, 15:15, 23:21, 15:26), në ndeshjen e pestë të Play-offit, për të siguruar finalen e madhe. Ndeshja ishte interesante nga fillimi deri në […]

Finalja e madhe në Superligë, Golden Eagle Ylli – Peja Foto: Ilustrim

Ylli i Suharekës dhe Peja do të përballen në finalen e madhe të fazës “Play-Off” në Superligën e Kosovës në basketboll.

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit në udhëtim 72:85 (19:23, 15:15, 23:21, 15:26), në ndeshjen e pestë të Play-offit, për të siguruar finalen e madhe.

Ndeshja ishte interesante nga fillimi deri në fund, ku të dy skuadrat dhanë maksimumin për fitore, kurse Ylli me 3:2 në seri, kualifikohet në finale.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi deri në nëntë pikë në çerekun e parë, 12:21, derisa kjo pjesë përfundon 19:23. Vendasit rikthehen në periodën e dytë, për të barazuar shifrat në 30:30, e duke kaluar në epërsi 31:30, por therandasit nuk dorëzohen dhe përfundojnë pjesën e parë në të mirë të tyre 34:38.

Edhe perioda e tretë ishte mjaft interesante, me përpjekje të mëdha nga të dy skuadrat për tu shkëputur në epërsi, kurse kjo pjesë përfundon 23:21 në të mirë të vendasve, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 57:59. Lojë shumë interesante u zhvillua në 10 minutat e fundit, ku dy minuta nga fundi, rezultati ishte 72:72, por më pas mysafirët hyn në një seri të jashtëzakonshme prej 0:13, duke e fituar ndeshjen 72:85, duke u kualifikuar në finale.

Ndërsa Peja përmes Komesarit të Garave është kualifikuar në finale pasi që gjatë ndeshjes ndodhi një incident që bëri të ndëpritet ndeshja.

Në bazë të raportit të ndeshjes, raportit shtesë të vëzhguesit, deklaratave të gjyqtarit kryesor, gjyqtari 1, gjyqtari 2, video incizimeve  nga ndeshja e V-të gjysmëfinale të FIVE STAR Superligës së Kosovës, Ponte Prizreni – Peja te rezultati 48:49 e zhvilluar më 04.05.2021 në Prizren, Komesari i Garave pas grumbullimit të dëshmive, provave të ndeshjes merr këtë:

Vendim 

  1. Konform Nenit 39.6.4 të Propozicioneve të Garave gjyqtari i parë në konsultim me vëzhguesin e ndeshjes vendos për ndërprerjen e ndeshjes KB Ponte Prizreni – Peja pas sulmit ndaj lojtarëve të KB Peja.
  2. KB Ponte Prizreni Konform Nenit 49.15 të Propozicioneve të Garave (në pajtim me Nenin 39.6.6) dënohet me 4.000 euro dhe 3 ndeshje pa prezencën e shikuesve për edicionin 2021/22.
  3. Konform Nenit 39.6.6 të Propozicioneve të Garave me vendimin e marr nga gjyqtari i parë, ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0 në favor të KB Peja, kurse KB Ponte Prizreni eliminohet nga garat e Play Off-it.
  4. Konform Nenit 16.1 dhe Konform Nenit 50.2.1 të Propozicioneve të Garave trajneri i KB Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati dënohet me 500 euro.
  5. Konform Nenit 16.1 dhe Konform Nenit 50.2.1 të Propozicioneve të Garave, Kryetari i KB Ponte Prizrenit, Zgjim Kryeziu dënohet me 500 euro.
  6. Konform Nenit 48.5 të Propozicioneve të Garave KB Ponte Prizreni dënohet me 200 euro.
  7. Konform Nenit 48.15 të Propozicioneve të Garave, KB Ponte Prizreni dënohet me 300 euro.
  8. Konform Nenit 49.3 të Propozicioneve të Garave KB Ponte Prizreni dënohet me 400 euro.
  9. Brandon Walters (KB Peja) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Peja.
  10. Aj Walton (KB Peja) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Peja.
  11. Leurit Morina (KB Ponte Prizreni) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Ponte Prizreni.
  12. Dardan Berisha (KB Peja) Konform Nenit 50.1 të Propozicioneve të Garave dënohet me 100 euro.

13.Konform Nenit 49.11 të Propozicioneve të Garave, KB Peja dënohet me 600 euro.

Arsyetim 

Vendimet e marra më lartë nga Komesari i Garave janë në bazë të deklaratave të vëzhguesit, gjyqtarit kryesor, gjyqtari 1, gjyqtarit 2, video incizimeve, dëshmive, provave dhe Konform Propozicioneve të Garave për edicionin 2020/21.

Këshilla juridike 

Konform Nenit 43.1 të Propozicioneve të Garave është e lejuar ankesa te Komisioni Arbitrar më së voni 24 orë pas marrjes së vendimit.

Konform Nenit 43.2 paraqitësi i ankesës duhet të deponojë 500 euro në llogarinë e FBK-së.

Konform Nenit 43.3 ankesa e cila nuk dorëzohet me kohë apo shuma e caktuar nuk është deponuar, ankesa refuzohet dhe nuk shqyrtohet.

Konform Nenit 43.6 gjatë ndeshjeve të Play Off-it, Komisioni Arbitrar mblidhet menjëherë merr vendim për ankesën e dorëzuar.

Konform Nenit 43.10 paraqitësi i ankesës ka të drejtë ankesë brenda 24 orëve nga marrja e vendimit.

Konform Nenit 43.11 ankesa në ndeshjet e Play-Off-it paraqitet me anë të postës elektronike apo dorëzohet me shkrim.

Faton Kurshumlija                                                                                    Prishtinë

Komesari i Garave                                                                                    05.05.2021

Federata e Basketbollit e Kosovës