Enrique mbështet Dembelen për topin e artë: “lojtari më i mirë i këtij sezoni”
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka shpërthyer në lëvdata për performancën e skuadrës së tij dhe në veçanti për Ousmane Dembelen, duke theksuar se ai po forcon shpresat e tij për të fituar Topin e Artë.
Kjo deklaratë vjen pas golit të 35-të të Dembeles në sezon, shënuar në ndeshjen e tij të parë si titullar në Kupën e Botës për Klube, pas rikthimit nga një dëmtim në kofshë.
“Ndihem shkëlqyeshëm,” i tha Enrique kanalit DAZN. “Është e vështirë të luash këto lloj ndeshjesh kundër Real Madridit. Mendoj se e nisëm ndeshjen shumë mirë dhe jemi të kënaqur me performancën.”
Enrique theksoi edhe kushtet e vështira të lojës, duke iu referuar nxehtësisë së lartë. “Sidomos në këto kushte – ka shumë nxehtësi, për mua. Duhet të luash në kushte të ndryshme për të parë një shfaqje më të mirë, por mendoj se të dyja skuadrat bënë një punë të shkëlqyer,” shtoi ai. “Jemi në një sezon të veçantë, një moment të veçantë dhe mendoj se e merituam të fitonim.”
Lëvdatat më të mëdha ishin për Dembelen, i cili duket se ka lënë një përshtypje të thellë te trajneri spanjoll. “Është ndeshja e parë në këtë Kupë Bote për Klube që mund ta përdorim Ousmanen si një lojtar normal, sepse ishte i dëmtuar me kombëtaren dhe u përpoqëm të kujdeseshim për të. Mendoj se ai është lojari më i mirë i këtij sezoni me një diferencë të madhe,” deklaroi Enrique me bindje.
“Ai meriton të fitojë gjithçka, sepse ai i dha gjithçka ekipit dhe ekipi do të arrijë trofe, që është gjëja më e rëndësishme për një klub.”
Në lidhje me finalen e së dielës kundër Chelseat, Enrique shprehu optimizëm. “Do të përpiqemi ta fitojmë. Edhe një hap më shumë kundër një ekipi të mirë si Chelsea. Ata performuan gjatë gjithë kompeticionit dhe tani është koha për ne të përgatitemi për këtë, të përpiqemi të rikuperohemi.”
Me historinë në horizont, Enrique është i fokusuar në arritjen e objektivit. “Pothuajse aty; duam të bëjmë histori për klubin tonë dhe më pas janë pushimet tona.”