Parisi gati për shkëlqimin e madh: Sot mbahet ceremonia e 69-të e “Topit të artë”

22.09.2025

Numërimi mbrapsht ka nisur dhe sot sytë e gjithë botës së futbollit janë drejtuar kah Parisi, ku pritet të mbahet ceremonia e shumëpritur e ndarjes së çmimit më prestigjioz individual në futboll – “Topi i artë” 2025, në edicionin e tij të 69-të.

Ngjarja madhështore do të zhvillohet në teatrin “Chatelet”, i cili është kthyer tashmë në simbol të shkëlqimit futbollistik dhe të pritjes së yjeve më të mëdhenj të këtij sporti. Parisi është në qendër të vëmendjes, duke pritur me emocion futbollistët dhe personalitetet e shumta të ftuara në këtë ceremoni.

Kur dhe si do të ndiqet ceremonia

Ceremonia do të nisë në orën 15:00, dhe do të transmetohet në mbarë botën. Miliona tifozë pritet ta ndjekin këtë ngjarje, të cilën tradicionalisht e shoqërojnë jo vetëm emocionet e shpalljes së fituesit, por edhe atmosfera e veçantë e tapetit të kuq dhe momentet simbolike të futbollit.

Gara më e fortë se kurrë

Edicioni i këtij viti shihet si një nga më të hapurit dhe më konkurruesit në historinë e “Topit të artë”. Në listë janë 30 futbollistë nga ligat më të fuqishme evropiane, një përzierje mes yjeve të konfirmuar dhe talenteve të reja që kanë shkëlqyer në skenën ndërkombëtare. Ky fakt e bën garën veçanërisht interesante dhe rrit kureshtjen për emrin që do të shpallet lojtari më i mirë në botë për vitin 2025.