Daku vendimtar me dy gola për Rubin Kazan, vazhdon formën e jashtëzakonshme në Rusi

05.08.2025

Sulmuesi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka dhuruar një tjetër paraqitje mbresëlënëse në Superligën Ruse, duke qenë protagonist absolut në fitoren e Rubin Kazan ndaj Sochi-t me rezultat 2-1.

Daku ishte autor i të dy golave për skuadrën e tij. Ndeshja nisi mbarë për Rubin Kazan, me sulmuesin shqiptar që realizoi që në minutën e 12-të nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar vendasit në epërsi dhe duke vendosur ritmin e lojës.

Pavarësisht përpjekjeve të Sochi-t për të rikuperuar në pjesën e dytë, Daku sërish u tregua vendimtar. Pas një aksioni të mirë dhe një pasimi të saktë, ai shënoi golin e dytë personal dhe të skuadrës, duke siguruar tre pikë të rëndësishme për Rubin Kazan në garën për pozita të larta në kampionat.

Me këtë paraqitje, Daku konfirmon edhe një herë formën e tij të lartë dhe rolin kyç që ka në sukseset e ekipit rus.