Mirlind Daku rinovon me Rubin Kazan deri në vitin 2029 – prezantimi frymëzohet nga “Squid Game”
Mirlind Daku ka zgjatur qëndrimin e tij te klubi rus Rubin Kazan, duke firmosur kontratë të re që do ta mbajë në Rusi deri në vitin 2029.
Lajmi është bërë i ditur sot nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale.
Rubin Kazan ka zgjedhur një mënyrë kreative për të bërë publik rinovimin, duke u frymëzuar nga seriali i famshëm koreano-jugor “Squid Game”. Në videon e publikuar, që përmban elemente vizuale dhe muzikore të serialit, në fund shfaqet sulmuesi shqiptar i përfaqësueses së Shqipërisë duke firmosur marrëveshjen e re.
Rinovimi vjen pas një sezoni pozitiv për Dakun, ku ai ka fituar besimin e stafit teknik dhe është shndërruar në një nga lojtarët kyç të repartit ofensiv të skuadrës.
Kontrata e re është një sinjal i fortë i besimit afatgjatë që Rubin Kazan ka te Daku, duke e konsideruar atë një pjesë thelbësore të projektit të klubit për vitet e ardhshme.