Çfarë do të thotë për Kosovën mbështetja e SHBA’së?

15.02.2024

Mbi 2 miliardë dollarë – kjo është shuma që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë për Kosovën, që nga viti 1998.

Çfarë do të thotë për Kosovën mbështetja e SHBA’së? Foto: Ilustrim

Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Megjithatë, në disa raste, viteve të fundit, raportet me Uashingtonin janë tendosur.

Mospajtimet për dinarin serb

Shtetet e Bashkuara, aktualisht, po kërkojnë pezullimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që e bën euron valutë të vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Zyrtarët amerikanë shqetësohen se me rregulloren e re të BQK-së mund të dëmtohen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët e përdorin valutën e Serbisë, dinarin.

Beogradi ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, është shprehur qartë se mungesa e koordinimit po i rrezikon marrëdhëniet SHBA-Kosovë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien për Zërin e Amerikës.

Pas kësaj deklarate, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-në.

Dallimet e mëparshme

Në maj të vitit 2023, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, pasi nuk e ka dëgjuar këshillën e SHBA-së për hapa drejt uljes së tensioneve në veri të vendit.

SHBA-ja pati thënë se nuk ka entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës, përfshirë angazhimin me vendet mosnjohëse dhe avancimin e Kosovës në rrugën euroatlantike.

Në marsin e vitit 2020, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) e Qeverisë amerikane pati pezulluar fonde në vlerë të 50 milionë dollarëve për programe të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Shkak ishte bërë një vendim i ekzekutivit të atëhershëm, i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Pas shfuqizimit të vendimit nga qeveria pasuese, MCC-ja e pati rifilluar programin e ndihmave.

Për shkak të vendimit për taksën, zyrtarët amerikanë patën anuluar vizita dhe pjesëmarrjen e Kosovës në disa programe.

Disa senatorë edhe e patën vënë në pikëpyetje ekzistencën e bazës ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë.

Amerika i ka trupat e veta ushtarake në Kosovë, të angazhuara në misionin e NATO-s, KFOR, ndërsa Bondsteel-i është baza e saj më e madhe ushtarake në vend.

Si angazhohet SHBA-ja në Kosovë?

Janë dy institucione që Uashingtoni përdor për t’u angazhuar në Kosovë: Ambasadën e tij në Prishtinë, dhe Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

SHBA-ja synon ta përmirësojë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, ta ndihmojë atë të ketë rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të sigurojë që Kosova të kontribuojë pozitivisht në stabilitetin rajonal – duke përfshirë transformimin e sektorit të sigurisë, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, promovimin e të drejtave të pakicave dhe integrimin në struktura euroatlantike.

Vetëm në shtator të 2023-tës, USAID-i ka ndarë një grant prej 35 milionë eurosh për Kosovën, për ta ndihmuar në fushën e integrimeve.

Ndër vite, programet e agjencisë u janë dedikuar luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë; luftës kundër dezinformimit dhe avokimit për media të pavarura; programeve dhe bursave të ndryshme në fushën e edukimit; fuqizimit të shoqërisë civile dhe rritjes së demokracisë; si dhe zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Forcimi i FSK-së

Ndonëse NATO-ja e pati kundërshtuar më 2018 vendimin e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, SHBA-ja e ka mbështetur këtë proces dhe ka punuar në avancimin e kësaj force.

Ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pati deklaruar se “është e natyrshme për Kosovën, si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”.

Më 2021, në bashkëpunim me SHBA-në, kontingjenti i parë i FSK-së mori pjesë në një mision paqeruajtës jashtë vendit.

Po atë vit, SHBA-ja i dhuroi Kosovës një donacion prej 55 automjetesh ushtarake.

A mund të ndalet ndihma amerikane?
Profesori i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, David Kanin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve pas mospajtimeve të fundit për dinarin.

Megjithatë, ai ka theksuar se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.

Kanin ka thënë se nuk beson që do të ndryshojnë pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës.