Vrasja në Suharekë, e akuzuara thotë se me burrin s’kishte telashe që e bënin martesën të paqëndrueshme

11.11.2021

Këtë deklarim, e akuzuara R.B e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku u dëgjua edhe i akuzuari R.A, të akuzuar për vrasjen e A.B më 2016. Bashkë me ta, në këtë rast ngarkohen edhe M.A dhe F.F, raporton “Betimi për Drejtësi”. Në seancën e së enjtes, e akuzuara R.B deklaroi se ndjen […]

Vrasja në Suharekë, e akuzuara thotë se me burrin s’kishte telashe që e bënin martesën të paqëndrueshme Foto: Ilustrim

Këtë deklarim, e akuzuara R.B e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku u dëgjua edhe i akuzuari R.A, të akuzuar për vrasjen e A.B më 2016.

Bashkë me ta, në këtë rast ngarkohen edhe M.A dhe F.F, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, e akuzuara R.B deklaroi se ndjen keqardhje për familjen e burrit të saj A.B, por se ndjen keqardhje për veten e saj dhe fëmijët e saj sepse më të lënduar se këta, sipas saj nuk janë askush dhe kërkoi nga gjykata që sa më shpejtë të zbardh rastin.

Teksa tha se me tani të ndjerin kishte raporta të mira, ajo theksoi se M.A dhe R.A i ka djem të axhës.

E pyetur lidhur me atë se a ka pasur takime me M.A para se me ndodhte vrasja, ajo tha se me të ishte takuar vetëm një herë dhe atë vetëm rastësisht kur ka shkuar me bë një pagesë në një ëmbëltore, ndërsa me R.A nuk ishte takuar.

Tutje ajo tha se nuk e kishte njohur F.F para se të ndodhte vrasja.

E akuzuara R.B, lidhur me kontaktin me R.A tha se ai numrin e saj e kishte gjetur te B. dhe kishte folur me të në telefon 3-4 minuta ku edhe më pas ka ardhur te lokali ku ka punuar ajo dhe është interesuar për çështjen e A.B.

Sipas saj, ai i kishte thënë “pyete N. se ata janë shokë të mirë, N. duhet me ditë se ku mund të jetë A.B”.

Po ashtu, theksoi se R.A gjithashtu kishte qenë në shtëpinë e babait të saj ku është munduar të folë për rastin e M.A dhe se ka folur fjalët më të këqija për A.B se gjoja ai s’ka qenë i sjellshëm.

E akuzuara R.B duke u deklaruar lidhur me zhdukjen e telefonit të A.B tha se në ditën kritike ajo kishte dashur të shkojë te prindërit e saj dhe kishte provuar të thërras në telefon A.B, por i njëjti s’kishte pasur qasje në rrjet.

Tutje, shtoi se pastaj kishte shkuar tek prindërit e saj, ku në ora 20:00 ishte kthyer në banesë dhe kishte folur me djalin e saj se a i ishte lajmëruar babai i tij, por ai i kishte thënë jo dhe se atë natë s’ishte kthyer A.B.

Të nesërmen, thotë se kishte shkuar me folë me N. së bashku me djalin e saj dhe së kishin shkuar gjithkah ta gjejnë A.B por pa rezultate.

E akuzuara tha se pastaj N. kishte thirrë policinë e që polici i kishte thënë prit deri në ora 13:00 se pa u bë 24 orë nuk munden me lajmëru si rast, e që pas orës 13:00 kishte shkuar në polici dhe kishte lajmëruar rastin për humbjen e A.B.

E akuzuara R.B tha se A.B më së shumti është shoqëruar me N.G.

Ndërsa, R.A, gjatë deklarimit të tij tha se qëndron pranë deklaratës së 24 prillit 2019 dhe shtoi se i akuzuari tjetër F.F gjithnjë e ka thirrë në telefon dhe se me F.F ishin takuar dy herë.

Po ashtu, i akuzuari mohoi atë se çka ka deklaruar dëshmitari Sh.K lidhur me atë se R.A i ka sugjeruar F.F se çka m’u përgjigj para policisë për rastin e A.B.

Tutje i akuzuari R.A deklaroi se dy ditë pas vrasjes së A.B kishte pasur takim me R.K pasi që ka qenë i interesuar që të zbardhet rasti.

Ai tha se ishte takuar me N.G dhe se F.F e ka njohur vetëm si shok i vëllait dhe kurrë s’ka ndenjur me të.

Lidhur me zhdukjen e tani të ndjerit, i akuzuari R.A tha se kur e kishte pyetur R.B se çfarë mund t’i ketë ndodhur A.B, ajo i kishte thënë se veç N.G e di, sepse është munduar që ‘kilen’ me ia lënë N.G.

Tute, i njëjti tha se e kishte pyetur se a ka shkuar në polici ta lajmërojë rastin, por R.B i kishte thënë se ka shkuar djali me lajmëru.

I akuzuari R.A tutje tha pas bisedës telefonike me R.B, kishin pasur takime me R.B tek shtëpia e babës së saj, ku edhe ka qenë prezent edhe babai i saj dhe ka dëgjuar çdo gjë që është folur mes tyre.

Sipas të akuzuarit R.A, pasi që është arrestuar M.A, babai i saj kishte ardhur në shtëpinë e tyre.

I pyetur lidhur me atë se gjatë takimeve me R.B, a ka shprehur dyshime ajo se M.A dhe F.F mund të jenë të implikuar apo të kenë gisht në zhdukjen e A.B, i akuzuari R.A e mohoi një gjë të tillë.

Kjo pasi sipas tij, R.B me çdo kusht ka tentuar që N.G t’ia lë fajin, e pasi që s’ka mundur atij, thotë se ia ka lëshuar R.A.

Në fund tha se R.B i ka bërë be se N.G e ka bërë këtë punë.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 15 nëntor 2021 me dëgjimin e të akuzuarës R.B.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, M.A dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

R.B, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari F.F, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, R.A, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon M.A dhe R.A se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin A.B, kurse R.B e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

F.F fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj F.F, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit M.A dhe R.A, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën R.B, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari M.A, i shtyrë nga e akuzuara R.B, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit F.F, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se M.A e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër R.A dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi