Të hënën policia ka dënuar mbi 700 qytetarë në bazë të ligjit anti-COVID

13.04.2021

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë ka shënuar një rënie të dukshme, duke e krahasuar me ditët e para të këtij muaji, por shqetësues mbetet numri i viktimave nga ky virus. Një gjë e tillë po bëhet e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ku çdo ditë […]

Të hënën policia ka dënuar mbi 700 qytetarë në bazë të ligjit anti-COVID Foto: Ilustrim

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë ka shënuar një rënie të dukshme, duke e krahasuar me ditët e para të këtij muaji, por shqetësues mbetet numri i viktimave nga ky virus.

Një gjë e tillë po bëhet e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ku çdo ditë raportohen qindra të infektuar me COVID-19 dhe dhjetra viktima.

Pavarësisht thirrjeve të shumta nga institucionet përkatëse për respektimin e masave mbrojtëse nga ky virus, shumë qytetarë të vendit nuk po i respektojnë ato, një gjë e tillë po bëhet e ditur nga numri i gjobave në bazë të ligjit anti-COVID, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi që nga muaji gusht i vitit të kaluar.

Policia e Kosovës ndër tjerash ka bërë të ditur se gjatë ditës së hënë kanë dënuar 748 qytetarë të cilët nuk e kanë respektuar këtë ligj, i cili ka për qëllim parandalimin e përhapjës së infeksionit me COVID-19 dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga ai.

Ndryshe, gjatë ditës së hënë në Kosovë janë konfirmuar 345 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 8 viktima nga ky virus.