ZKA: Nxënësve ju jepet fjala në mësim vetëm në fund të orës së mësimit

12.05.2022

Para gazetarëve znj. Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”. Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe […]

ZKA: Nxënësve ju jepet fjala në mësim vetëm në fund të orës së mësimit Foto: Ilustrim

Para gazetarëve znj. Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”.

Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara dhe 2 opinione të pamodifikuara. “Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keqdeklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jo financiare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka deklaruar znj. Spanca.

Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, me ç’rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.

Raporti të auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”, i cili përfshin periudhën 2018-2021, Auditorja e Përgjithshme, konkluzioni i auditimit nxjerr në pah se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare, që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet, nuk është themeluar. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës për “Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare” për të vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunat Novobërdë, Istog dhe Prizren ishin subjekt i këtij auditimi.

Konkluzioni i auditimit është se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe mos zbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

Rrjedhimisht, nxënësit vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta.

Procesi i vlerësimit në arsimin parauniversitar ka mangësi dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat nuk kanë ndërmarrë masa për të kuptuar dhe marrë veprime për evidentimin dhe përmirësimin e tyre.

Auditimi konstatoi mangësitë e mëposhtme:

• Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit tanë kanë rezultatet shumë të ulëta në testet ndërkombëtare. Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera (në vendin e tretë të fundit nga 77 vende pjesëmarrëse), që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar.

Ndërsa, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare nuk është themeluar që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet
dhe boshllëqet.

• Nxënësit kosovarë kanë arritur rezultate relativisht të mira në testet kombëtare mirëpo në testet ndërkombëtare, siç është PISA rezultatet e nxënësve janë shumë më të ulëta se mesatarja e OBZhE-së dhe më të ulëtat në rajon. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë ndërmarrë ndonjë hap që ti analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë (për të pasur vlerësim të pavarur) nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo ë mirë mes nxënësve. Gjithashtu, Divizioni për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim nuk ka bërë asnjë monitorim në asnjë shkollë. Në testin ndërkombëtar nxënësit kosovarë kishin rezultate nën mesataren e përcaktuar, duke shënuar 353 pikë në lexim krahas 487, 366 pikë në matematikë krahas 489 dhe 365 pikë në shkencë krahas 489 pikëve të indeksit mesatar për vitin 2018.

• Monitorimin i vlerësimit të nxënësve përgjatë gjithë vitit shkollor dhe metodat e përdorura nga mësimdhënësit nuk është kryer nga institucionet përgjegjëse. Inspektorati i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit as Drejtoria Komunale e Arsimit dhe as drejtorët e shkollave nuk kanë përfshirë monitorimin në aktivitetet e tyre. Nuk ka asnjë koordinim mes tyre e as me Drejtorinë Komunale të Arsimit për të siguruar monitorim të duhur dhe të vazhdueshëm lidhur me vërejtjet e gjetjeve gjatë vlerësimit të mësimdhënësve dhe zbatimin e rekomandimeve të përgjithshme. Si rezultat, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk i transmetohet asnjë informacion për mënyrën se si mësimdhënësit aplikojnë kurrikulën, e cila është thelbësore për zhvillimin e nxënësve në përputhje me sistemet globale të arsimit.

• Trajnimi i ofruar për mësimdhënësit nuk dihet nëse i plotëson nevojat për të përmbushur kërkesat që dalin nga kurrikula. Më shumë se gjysma e mësimdhënësve mostër e auditimit u përgjigjën se trajnimi për kurrikulën kombëtare ishte shumë i shkurtër (vetëm gjashtë ditë) duke pasur parasysh vëllimin e kurrikulës dhe kërkesat që vijnë prej saj. As gjatë trajnimit dhe as pas trajnimit mësimdhënësit nuk janë pyetur nga zyrtarët e ministrisë apo komunës nëse trajnimi i ka përmbushur nevojat e tyre. Pra, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka njohuri nëse trajnimi është duke ndikuar në zbatimin e kërkesave që dalin nga kurrikula pasi që bëhet pa pasur asnjë informacion kthyes nga mësimdhënësit.

Të gjeturat e auditimit tregojnë se çështjet që kanë të bëjnë me vlerësimin e nxënësve kërkojnë përmirësim të menjëhershëm. Për rregullimin e metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit të nxënësve, institucioneve përgjegjëse u janë dhënë 9 rekomandime.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.