Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, të hënën hap konkursin për 1,300 studentë të rinj për vitin akademik 2026/2027
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve në nivelin baçelor për vitin akademik 2026/2027.
Sipas konkursit të publikuar nga Senati i Universitetit, në afatin e parë do të pranohen gjithsej 1,300 studentë të rregullt, të shpërndarë në fakultetet dhe programet përkatëse.
Në kuadër të kuotave të përcaktuara, universiteti do të rezervojë deri në 12 për qind të vendeve për studentët nga komunitetet jo-shumicë, ndërsa deri në 5 për qind të vendeve janë të dedikuara për kandidatët nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit do të bëhet nga 29 qershor deri më 11 korrik 2026, ndërsa provimi pranues do të mbahet më 14 korrik 2026, duke filluar nga ora 09:00.
Kandidatët do të vlerësohen sipas suksesit në shkollën e mesme, rezultatit në maturë dhe pikëve të fituara në provimin pranues. Për pranim kërkohet që kandidati të arrijë së paku 40 për qind të pikëve në provimin pranues.
Ndër programet me numrin më të madh të vendeve janë Dizajni Softuerik me 175 vende, Juridiku me 180 vende, Administrim Biznesi dhe Menaxhment Ndërkombëtar me nga 150 vende, si dhe Teknologjitë e Informacionit dhe Telekomunikimi me 140 vende.
Rezultatet preliminare pritet të publikohen më së voni më 14 korrik 2026, ndërsa rezultatet përfundimtare do të shpallen deri më 17 korrik 2026. Regjistrimi i studentëve të pranuar do të zhvillohet nga 20 deri më 24 korrik 2026.
Universiteti ka publikuar gjithashtu lëndët që do të përfshihen në provimet pranuese për secilin program, duke përfshirë matematikën, gjuhët, ekonominë, informatikën, biologjinë dhe lëndë të tjera profesionale.
