Brenda 11 muajve në Policinë e Suharekës janë raportuar 53 raste të dhunës në familje

25.11.2022

Dhuna në familje, ku kryesisht ushtrohet ndaj grave dhe vajzave, në Kosovë vazhdon të jetë njëra ndër sfidat më të mëdha për institucionet e shtetit. Në Policinë e Kosovës pothuajse çdo ditë raportohen raste të dhunës në familje, ku viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore. Në kuadër të fushatës “16 Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë […]

Brenda 11 muajve në Policinë e Suharekës janë raportuar 53 raste të dhunës në familje Foto: Ilustrim

Dhuna në familje, ku kryesisht ushtrohet ndaj grave dhe vajzave, në Kosovë vazhdon të jetë njëra ndër sfidat më të mëdha për institucionet e shtetit.

Në Policinë e Kosovës pothuajse çdo ditë raportohen raste të dhunës në familje, ku viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Në kuadër të fushatës “16 Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore” janë mbajtur aktivitete të ndryshme, edhe në Komunën e Suharekës gjatë ditës së premtë është diskutuar “Dhuna në bazë Gjinore” ku pjesmarrës kanë qenë Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, nënkryetarja Mihrije Suka, zyrtarë të tjerë nga komuna dhe policia.

Nga janari i këtij viti deri në muajin nëntor në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar 53 raste të dhunës, ku viktimat kanë qenë të gjinisë femore, kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj.

Sylaj poashtu ka treguar se duke e krahasuar numrin e raporteve të këtij viti me atë të vitit 2021(periudha janar-nëntor), rezulton se rastet e dhunës në familje fatmirësisht kanë shënuar rënie.

Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni, Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline ka bërë të ditur se në vitin 2021 nga muaji janar deri në atë nëntor në Stacionin Policor në Suharekë gjithsej janë raportuar 65 raste të tilla.

Nga të dhënat që ruan në arkiv SuharekaOnline rikujton se në vitin 2020 në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar 51 raste të dhunës në familje, ku kryesisht numri më i madh i viktimave kanë qenë të gjinisë femërore.