Shkeljet e të drejtave të punëtorëve – vetëm 33 inspektorë të punës janë aktiv

10.12.2021

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka thënë se për padrejtësitë që u bëhen punëtorëve nga punëdhënësit në sektorin privat, të njëjtit nuk kanë guxim t’i raportojnë ato. Ai tha se ankesat që i marrin janë kryesisht të natyrës të të drejtave të punëtorëve me sektorin privat. “Një numër i ankesave që na i marrim ka […]

Shkeljet e të drejtave të punëtorëve – vetëm 33 inspektorë të punës janë aktiv Foto: Ilustrim

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka thënë se për padrejtësitë që u bëhen punëtorëve nga punëdhënësit në sektorin privat, të njëjtit nuk kanë guxim t’i raportojnë ato.

Ai tha se ankesat që i marrin janë kryesisht të natyrës të të drejtave të punëtorëve me sektorin privat.

“Një numër i ankesave që na i marrim ka të bëjë me të drejtat e punëtorëve kryesisht me sektorin privat. Sidomos gjatë pandemisë punëtorët ose rastet që janë paraqitur në KDI kanë të bëjnë me sferën e punës ku ata janë të angazhuar, por jo me emrin e tyre apo me emrin e punëdhënësit”.

Po ashtu, Kryeziu ka shtuar se punëtorët që nuk po arrijnë të kenë guxim për raportim të padrejtësive, kjo është problematikë në vete, sipas tij nuk po kanë guxim të mjaftueshëm edhe për shfaqjen e emrave të kompanive, bizneseve private përmes të cilave u cenohet e drejta e tyre.

Ai tha se të punësuarit nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të drejtat e tyre bazike e se nuk kanë informacion se ku mund të ankohen.

“Ne kemi mundësuar që përmes platformës online në mënyrë anonimë të paraqesin raste”.

Hulumtuesja në KDI, Verolinda Berisha ka thënë se Kosova ka vetëm 39 inspektorë të punës mirëpo gjatë vitit 2020 kanë qenë vetëm 33 aktiv.

“Sipas standardeve të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare të Punës për çdo 10 000 të punësuar duhet të ketë një inspektor pune. Nga shifrat zyrtare të të punësuarve në Kosovë në vitin 2020 Kosova do të duhej të kishte së paku 35 inspektorë pune”.

Ndryshe, me mbi 220 mijë punëtorë, sektori privat llogaritet si punëdhënësi më i madh në vendin tonë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi ka thënë se sindikata ka alarmuar vite më parë lidhur me situatën e krijuar për mungesën e punëtorëve.

Sipas Azemit, kushtet jo të mirë të punës në sektorin privat e kanë sjellur këtë gjendje.

Sipas të parit të SPSPK-së, punëtorët po paguhen nga punëdhënësit me pagë minimale. Paga minimale për të punësuari e moshës nën 35 vjeç është 130 euro, ndërsa 170 euro është për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Punëtorët e këtij sektori po ankohen edhe për orar të stërzgjatur të punës.

Në anketën e fundit të ASK-së, të publikuar në tetor të këtij viti, të intervistuarit që punojnë në sektorin publik, kanë thënë se punojnë deri në 39 orë në javë, ndërsa ata në privat deri në 43 orë. Ndërsa, me Ligjin e Punës, orari i plotë është 40 orë në javë.

Paga e ulët dhe kushtet jo të mira të punës, shton Azemi, kanë bërë që punëtorët – kryesisht të rinjtë – të largohen nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian.