Pas kallëzimit penal të dorëzuar nga LVV-ja, reagon MASH-i

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dalë me një sqarim pas dorëzimit të kallëzimit penal nga LVV-ja ndaj ministrit në detyrë, Ramë Likaj dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie.

Në sqarimin e MASH, thuhet se ministri në detyrë Ramë Likaj nuk ka nënshkruar asnjë dokument që lidhet me tenderin “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”.

MASh po ashtu bën të ditur se, kërkesa e nënshkrimit të procedurave të prokurimit është përcjellë nga Divizioni i Infrastrukturës dhe në pjesën e specifikimeve teknike janë 43 artikuj.

“Në bazë të kërkesës së iniciuar të Divizionit të Infrastrukturës, gjatë procedurës së prokurimit është bërë një gabim teknik, i cili është rregulluar shtatëmbëdhjetë ditë para hapjes së tenderit.

MASh gjithashtu njofton se, kontrata në fjalë është nënshkruar për 43 artikuj, siç është përshkruar në kërkesë dhe nuk ka pasur ndryshim në çmime. Shpallja e fituesit është bërë sipas ofertës me çmimin më të ulët”, thuhet në  sqarim.

Sqarimi i plotë i MASH-it:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaron se, kallëzimi penal i ngritur ndaj ministrit Ramë Likaj nuk qëndron për arsye se, ministri nuk ka nënshkruar asnjë dokument që lidhet me tenderin “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”. Pra, dosja e tenderit është nënshkruar nga personat përgjegjës (zyrtarët e MASh) dhe personi i autorizuar nga ministri.

MASh po ashtu bën të ditur se, kërkesa e nënshkrimit të procedurave të prokurimit është përcjellë nga Divizioni i Infrastrukturës dhe në pjesën e specifikimeve teknike janë 43 artikuj. Në bazë të kërkesës së iniciuar të Divizionit të Infrastrukturës, gjatë procedurës së prokurimit është bërë një gabim teknik, i cili është rregulluar shtatëmbëdhjetë ditë para hapjes së tenderit.

MASh gjithashtu njofton se, kontrata në fjalë është nënshkruar për 43 artikuj, siç është përshkruar në kërkesë dhe nuk ka pasur ndryshim në çmime. Shpallja e fituesit është bërë sipas ofertës me çmimin më të ulët.

Tutje ju bëjmë me dije se, inicimi i procedurave të prokurimit ka filluar më 4 nëntor 2020 dhe hapja është bërë më 27 nëntor 2020. Procedurat kanë qenë transparente dhe të publikuara në e-prokurim.

Gjatë procedurës  së prokurimit ka pasur një ankesë nga një operator ekonomik, ku OShP-ja ka marrë vendim në favor të autoritetit kontraktues. Vendimi i OShP-së me numër A.nr.1069/20, ankesën e operatorit ekonomik e hedh si të palejuar dhe konstaton se autoriteti kontraktues, pra MASh mund të vazhdojë tutje me procedurat e prokurimit publik.

MASh gjithashtu njofton se, procedurat kanë qenë transparente dhe në përputhje të plotë më Ligjin e Prokurimit. 

RAPORTO