Kurti: Në Epopenë e UÇK-së, familja Jashari u bë e përjetshme

05.03.2022

“Ky heroizëm na kujton heroizmin e zëshëm dhe të heshtur të atyre që ranë për liri dhe dhanë gjithçka për të, dhe të atyre që mbijetuan për të treguar përjetimet. Edhe para luftës së viteve 1998-1999 nuk kishim paqe, sepse ishim të pushtuar dhe nën okupim. Para luftës kishim dëbimet e shqiptarëve për Turqi, aksionet […]

Kurti: Në Epopenë e UÇK-së, familja Jashari u bë e përjetshme Foto: Ilustrim

“Ky heroizëm na kujton heroizmin e zëshëm dhe të heshtur të atyre që ranë për liri dhe dhanë gjithçka për të, dhe të atyre që mbijetuan për të treguar përjetimet. Edhe para luftës së viteve 1998-1999 nuk kishim paqe, sepse ishim të pushtuar dhe nën okupim. Para luftës kishim dëbimet e shqiptarëve për Turqi, aksionet e Rankoviqit për t’ua mbledhur armët shqiptarëve, demonstratat e 68’ës e të 81’ës dhe suprimimin e autonomisë, përjashtimin e shqiptarëve nga puna dhe helmimet e nxënësve”.

Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, tha se rrugët e Kosovës kanë qenë të lara me gjak edhe para luftës dhe se gjithçka kishte nisur shumë më herët – qysh prej të parëve tanë.

“Për secilin prej nesh ka nisur në një moment të caktuar që jo domosdoshmërisht është i njëjtë me tjetrin, por një pikë e përbashkët për të gjithë ne këtu sot është eskalimi i çdo situate tjetër që na bën të kujtojmë gjithmonë më pietet datën e 5 marsit – të fillimit të Epopesë së UÇK-së. Është Masakra e Prekazit e cila u bë kthesë përcaktuese në trajektoren e zhvillimit të luftës sonë çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjes ndërkombëtare e të vetëdijes diplomatike botërore”.

“As për familjen Jashari viti 1998 nuk ishte fillimi. Ata ishin përgatitur prej shumë gjeneratave, prej kur ishte arrestuar baca Shaban në vitin 1952 prej pushtetit të atëhershëm, te demonstratat e vitit 1968 dhe aksionet e bacës Shaban bashkë me Hamëz Jasharin për vendosjen e flamujve kombëtarë në Skenderaj. Pastaj te demonstratat e vitit 1981 në të cilat mori pjesë edhe kryekomandanti Adem Jashari deri te stërvitjet e para ushtarake të vitit 1991 të organizuara në Shqipëri, pastaj te sulmi i parë në Prekaz në dhjetor të vitit 1991, sulmi i dytë në janar të vitit 1998 e deri te Epopeja e UÇK-së. Nëpër këtë trajektore ata ishin përcaktuar për atdheun e tyre, për çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit me çdo çmim. Në Epopenë e UÇK-së ata u bënë të përjetshëm”.

Kurti e përmendi edhe të mbijetuarën e vetme të familjes Jashari, vajzën e Hamëz Jasharit, duke thënë se ajo është simboli i dhimbjes dhe krenarisë për këtë familje që gati u shua për lirinë e Kosovës.

“Sot bëhen 24 vjet nga ditët kur familja Jashari ra heroikisht në Prekaz pas dy netësh e tri ditësh luftime të ashpra me agresorin serb. Gjithsej humbën jetën 83 vetë, si pasojë e tri sulmeve, përfshirë të paktën 24 gra dhe fëmijë. Një familje e tërë gati u shua si rezultat i luftimeve makabre dhe të pabarabarta. Tanke, mitralozë e ushtarë që sulmonin nga larg familjarë të armatosur me shpresën për liri dhe me armët që kishin krijuar vetë. E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari, nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj është vajza e Hamëz Jasharit, Besarta. Si e mbijetuara e vetme Besarta na kujton tmerrin dhe dhimbjen, por edhe kurajon dhe krenarinë, që bart ajo, familja e saj dhe të gjithë ne si shqiptarë”.