BQK-ja favorizon kompanitë e sigurimit në dëm të policëmbajtësve

01.12.2023

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka aprovuar një kërkesë të kahmotshme të kompanive të sigurimit në Kosovë që trajtimi i dëmeve nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara, t’u kalojë në kompetencë kompanive veç e veç. Deri më tani kjo ka qenë kompetencë e Byrosë Kosovare […]

BQK-ja favorizon kompanitë e sigurimit në dëm të policëmbajtësve Foto: Ilustrim

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka aprovuar një kërkesë të kahmotshme të kompanive të sigurimit në Kosovë që trajtimi i dëmeve nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara, t’u kalojë në kompetencë kompanive veç e veç.

Deri më tani kjo ka qenë kompetencë e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), në përbërje të së cilës janë të gjitha kompanitë e sigurimit dhe e cila mbikëqyret nga Banka Qedrore e Kosovës.

Në kuadër të BKS-së funksionon Fondi i Kompensimit i krijuar me ligj, i cili ka për qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet në trafik, në rastet kur shkaktar i aksidentit është një mjet motorik i pasiguruar apo i paidentifikuar.

Me vendimin e ri kjo kompetencë do t’iu kalojë kompanive të sigurimit.

Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve ka marr vendimin muajin e kaluar, por që ka gjetur mbështetjen e guvernatorit Ahmet Ismaili.

Në të kaluarën, kjo kërkesë nuk ishte miratuar nga asnjë guvernator për t’i ikur konfliktit të interesit dhe rrezikut që kompanitë mund të abuzojnë me të drejtat e të aksidentuarve në Kosovë, nga kjo kategori.

Vlerësohet diku se rreth 90 për qind e kërkesave për zhdëmtim përfundojnë në gjykata, e të cilat marrin kohë me vite për tu trajtuar.

Përmes këtij vendimi, kompanitë e sigurimit vetë do të vendosin për vlerën e kompensimit si dhe rritet rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.

Në BQK nuk janë përgjigjur rreth arsyes prapa një vendimi të tillë. Përgjegjësinë e kanë hedhur tek Byroja Kosovare e Sigurimit. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

“Në bazë te ligjit, Delegimi i dëmeve nga BKS tek anëtarët e saj, nuk është në kompetencën e BQK-së, kjo është në kompetencën e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme te BKS”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Ndërkaq, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht Neni 18 paragrafi 3, thuhet se Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit.

Eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, ka thënë se në kuptimin ligjor por edhe si praktikë ndërkombëtare, ky vendim është krejt në rregull, mirëpo ka shtuar se ka dilema rreth asaj se a kanë kompetencë profesionale dhe vullnet kompanitë e sigurimit për trajtim profesional të dëmeve nga aksidentët, nga kjo kategori.

“Nga mënyra se si janë trajtuar dëmet në të kaluarën lë shumë për të dëshiruar. Pjesa më e madhe dëmeve përfundojnë në gjykata, ku rastet vonohen me vite”, ka thënë Nikçi.

Aktualisht në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për tu zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve).