Bislimi: Në Bruksel për Marrëveshjen Bazike, jo për dinarin

21.02.2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim në javën e ardhshme për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.

Bislimi: Në Bruksel për Marrëveshjen Bazike, jo për dinarin Foto: Ilustrim

“Ka një kërkesë nga Brukseli për mbajtjen e një takimi javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, do të shohim se kush mund të shkojë për të diskutuar për dinarin por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka thënë Bislimi.

Ai këtë e ka bërë me dije në deklarimin pas tryezës “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar, teksa ka treguar edhe për qëndrimin e vendeve aleate.

“Nga takimet që kemi pasur me përfaqësues të QUINT-it në vazhdimësi është thënë se rregullorja e re e BQK-së është plotësisht legjitime, dëshira që të vendoset rregull në sistemin financiar është objektivë e ngjashme edhe me BE-në. Krejt çka kërkohet nga ne gjatë fazës së tranzicionit është që qytetarët mos të dëmtohen, rrjedhimisht të ketë një periudhë ku ata mund t’i marrin mjetet e tyre në euro”, ka thënë Bislimi.

Tutje ai është përgjigjur për postimin e tij në X, me të cilën ka kritikuar kryenegociatorin Miroslav Lajçak për takimin e tij me organizata të shoqërisë civile nga pala serbe.

“’Tweeti’ im e ka për subjekt zyrën e zotit Lajçak, nuk merret me organizatat e shoqërisë civile. Ato kanë pasur një sërë takimesh, unë jam marrë me faktin që ai është takuar me organizatat e shoqërisë civile të cilat thonë se janë të Kosovës por janë pjesë e zbatimit të kapitullit 35 të integrimit evropian të Serbisë”, ka thënë zëvendëskryeministri.

Ai gjithashtu ka nënvizuar faktin se kërkesë e Qeverisë së Kosovës ka qenë vazhdimi i dialogut me tejkalim të deeskalimit, për shkak se nuk ka më rrezik në veri të vendit.

“Ne në vazhdimësi kemi mbushur shkresa që kemi thënë se ne kemi përmbushur obligimet nga marrëveshja e Bratislavës. Marrëveshja është për zbatimin e qëndrimeve të BE-së më 3 qershor. Ftesa ime është mos na detyroni të merremi ende me deeskalim sepse situata në terren është e mirë, hiqni masat, sepse s’ka kërcënim sepse Kosova s’ka as kapacitete që të kërcënojë Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.