Bislimi: Të hiqen masat e padrejta të BE-së ndaj Kosovës

24.04.2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, ka thënë se masat e padrejta të BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, pasi janë plotësuar tashmë edhe të gjitha kushtet e marrëveshjes së Bratisllavës.

Bislimi: Të hiqen masat e padrejta të BE-së ndaj Kosovës Foto: Ilustrim

Siç njoftojnë nga qeveria, ai së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkëbisedoi me delegacionin nga Këshilli i BE-së – Grupi i Punës për Ballkanin Perëndimor. Prezent ishin 25 diplomatë nga shtetet anëtare si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian.

Në njoftim thuhet se përgjatë fjalës së tij dhe përgjigjeve në pyetjet e delegatëve pjesëmarrës, zëvendëskryeministri Bislimi foli për rrugëtimin dhe synimet e Kosovës në integrimin evropian, me theks në trajtimin dhe arritjen e konsensusit për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht atë në Këshillin e Evropës ku vendi ynë pas kalimit me sukses të fazave paraprake tashmë gjendet në hapin e fundit të nevojshëm për arritjen e këtij suksesi, si dhe u diskutua për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.

“Ai foli dhe për performancën së brendshmi të institucioneve, trajektoren e progresit dhe zhvillimit në të cilën ndodhet tashmë vendi ynë, duke nënvizuar indikatorët pozitivë makroekonomikë, nga zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit deri tek rritja e investimeve të huaja direkte ndër të tjera.

Më tej, theksoi dhe se masat e padrejta të BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, pasi janë plotësuar tashmë edhe të gjitha kushtet e marrëveshjes së Bratisllavës, si dhe shprehu përsëri qëndrimin se propozimi për dhënien e liberalizimit të vizave për pasaportat ilegale KU, është kundërthënës dhe i njëjti shkel sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Mbi procesin e dialogut me Serbinë, zëvendëskryeministri trajtoi eskalimet në terren nga pala serbe dhe shkeljet e vazhdueshme të tyre të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit, si dhe mospranimin e këtyre marrëveshjeve e refuzimin për nënshkrim, dëshmuar në vazhdimësi përmes deklaratave publike të liderëve shtetërore e vulosur me letrën e ish-kryeministres së Serbisë, drejtuar Bashkimit Evropian në dhjetorin e kaluar”, thuhet në njoftimin e qeverisë.