274 persona të pickuar nga rriqrat në Suharekë!

14.06.2019

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tashmë ka filluar zbatimin e masave parandaluese kundër etheve hemorragjike Krime Kongo, pas rishfaqjes së rriqrave në Kosovë. Me ngritjen e temperaturave, ethet hemorragjike që shkaktohen kryesisht nga pickimet e rriqrave, ndër vite kanë qenë një problem për qytetarët e Kosovës. Madje, kishte raste që si pasojë e këtyre pickimeve, […]

274 persona të pickuar nga rriqrat në Suharekë! Foto: Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tashmë ka filluar zbatimin e masave parandaluese kundër etheve hemorragjike Krime Kongo, pas rishfaqjes së rriqrave në Kosovë.

Me ngritjen e temperaturave, ethet hemorragjike që shkaktohen kryesisht nga pickimet e rriqrave, ndër vite kanë qenë një problem për qytetarët e Kosovës.

Madje, kishte raste që si pasojë e këtyre pickimeve, ethet hemorragjike kanë përfunduar edhe me fatalitet. Këtë vit, në gjithë Kosovën janë pickuar nga rriqrat 1876 persona. Rastet e para të pickimeve nga ky insekt, kanë filluar që nga muaji shkurt.

Ndërkaq ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë kërkuar 225 persona, prej tyre 160 nga Komuna e Prishtinës.

Deri më tash, vetëm një person është infektuar me ethe hemorragjike, i cili aktualisht është i shtrirë në Klinikën Infektive.

Sali Ahmeti, infektolog, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se rastet e para që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qendrën terciare, si raste më të rënda nga pickimi i rriqrave, kanë filluar në muajin mars.

“Kemi pasur 225 raste të pickimeve. Pas vizitave që i kanë bërë, personat janë kthyer në shtëpi pasi nuk kanë treguar shenja të etheve hemorragjike, derisa 11 persona janë hospitalizuar, e vetëm një deri tani është me ethe hemorragjike në trajtim e sipër”, tha Ahmeti.

Në këto katër vjetët e fundit në Kosovë janë pakësuar rastet e etheve hemorragjike, ngaqë autoritetet përgjegjëse i kanë shtuar angazhimet për dezinfektimin e zonave të prekura.

Nga këto ethe, gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona, përderisa kishte 5.200 qytetarë që kishin kërkuar ndihmë si pasojë e pickimeve nga rriqrat.

Ndërkohë, infektologu Ahmeti thotë se vitet e fundit për dallim nga zonat që njiheshin si endemike e që ishin Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klina, tash po prin Prishtina me numër të pickimeve nga ky insekt.

“Prishtina qe disa vjet po prin me numër të pickimeve, por që rriqrat nuk janë helmuese për përhapjen e virusit të etheve hemorragjike”, tha Ahmeti.

Era Pireva, zëdhënëse e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, bëri të ditur se në terren po bëhet dezinsektimi i hapësirave bashkë me komunat që njihen si zona endemike, si dhe repelimi i kafshëve si masë parandaluese.

“Sipas të dhënave të grumbulluara në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, nga muaji shkurt e deri tani, janë raportuar gjithsej 1876 raste të pickimeve nga rriqrat në Kosovë. Numri më i madh i pickimeve është raportuar nga Komuna e Malishevës 665 raste, Suhareka 274 raste, Klina 177 raste, Rahoveci 103 raste dhe komunat e tjera me numër më të vogël të rasteve”, tha Pireva.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se janë bërë përgatitje me qëllim të përcjelljes sa më të mirë të zbatimit të masave për kontrollin e etheve hemorragjike për të ndikuar në uljen e numrit të sëmurëve si pasojë e pickimit dhe infektimit nga rriqrat.

Ministri Ismaili kërkoi nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e Planit operativ për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike, që ta rrisin angazhimin gjatë kësaj periudhe kur frekuenca e rasteve mund të jetë më e shprehur.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku futet edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Institucionet relevante po u bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë kësaj sezone duke zbatuar masat e përgjithshme për mbrojtjes nga ethet hemorragjike, si veshje adekuate gjatë punës në fusha, apo vende ku mund të ketë rriqra, ndërsa në raste të pickimit nga rriqrat të lajmërohen te mjeku më i afërt, meqë me ngrohjen e temperaturave shfaqja e rriqrave bëhet më e dukshme.