Tragjedi në vendin e punës në Itali, humb jetën 53 vjeçari shqiptar
Një tjetër tragjedi ka goditur komunitetin e punëtorëve shqiptarë në Itali.
Lulzim Buci, 53 vjeç, me origjinë shqiptare, humbi jetën në një aksident në vendin e punës në zonën industriale të Frosinone. Ngjarja e dhimbshme ndodhi, kur një pjesë e tavanit të një magazine në të cilën po punonte u shemb, duke bërë që ai dhe një tjetër punëtor të rrëzohen nga një lartësi prej gjashtë metrash.
Punëtorët në rrezik Buci dhe kolegu i tij, një shtetas maroken 31-vjeçar, ishin të punësuar nga kompania Romagna, e specializuar në krijimin e rimorkiove frigoriferike. Të dy po punonin në një projekt zgjerimi në një fabrikë e cila përfshiinte edhe heqjen e asbestit, një material i rrezikshëm për shëndetin. Kolegu i Bucit u transportua me helikopter në një spital në Romë, por gjendja e tij shëndetësore është serioze.
Autoritetet italiane janë duke hetuar shkaqet e aksidentit dhe nëse janë respektuar të gjitha normat e sigurisë në vendin e punës. Inspektorët e Karabinierëve dhe të Shëndetësisë Publike po kryejnë një hetim të detajuar për të përcaktuar përgjegjësitë.
Sindikata Filca-Cisl e Frosinone ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë tragjedi dhe ka bërë thirrje për një takim urgjent me të gjithë aktorët e përfshirë për të diskutuar masat e nevojshme për të përmirësuar sigurinë në vendin e punës.