Tragjedi në Itali: Shqiptarja 45-vjeçare vritet nga ish-bashkëshorti në mes të qytetit

16.06.2025

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e 14 qershorit në Tolentino, një qytet në provincën e Maceratës, ku një grua shqiptare 45-vjeçare u vra me thikë në rrugë nga ish-bashkëshorti i saj 55-vjeçar, po ashtu me origjinë shqiptare.

Tragjedi në Itali: Shqiptarja 45-vjeçare vritet nga ish-bashkëshorti në mes të qytetit Foto: Ilustrim

Sipas raportimeve nga autoritetet italiane, krimi makabër ndodhi rreth orës 20:00, në Viale Benadduci, në qendër të qytetit, përpara syve të dhjetëra kalimtarëve. Viktima, nënë e dy vajzave të moshës 21 dhe 23 vjeç, po shkonte në punë si kujdestare, kur u sulmua brutalisht nga ish-bashkëshorti në një park publik.

Burri kishte mbërritur në vendngjarje me skuter dhe pa paralajmërim e goditi gruan me thikë, duke e plagosur për vdekje. Policia italiane, që mbërriti menjëherë në vendin e krimit, e gjeti autorin të ulur në një stol, i qetë dhe pa bërë asnjë rezistencë në momentin e arrestimit. Sipas dëshmive të dëgjueshme, ai thuhet të ketë thënë: “Bëra atë që duhej të bëja.”

Burri, nga i cili gruaja ishte ndarë prej tre vitesh, nuk kishte asnjë ankesë të mëparshme ligjore, por dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Aktualisht ai ndodhet në kazermën e karabinierëve, ku po merret në pyetje nga Prokuroria e Maceratës, ndërsa karabinierët kanë rrethuar zonën për hetime të mëtejshme dhe mbledhjen e provave.

Hetuesit janë duke rindërtuar dinamikën e plotë të krimit, duke marrë në pyetje dëshmitarët e shumtë që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes dhe duke analizuar rrethanat që çuan në këtë akt të rëndë.

Ky është një rast tjetër i rëndë i dhunës në familje që përfundon tragjikisht dhe ngre alarmin për nevojën e parandalimit dhe mbështetjes së viktimave, veçanërisht në rastet kur ka histori ndarjeje apo probleme të shëndetit mendor.