Tragjedi në Itali, dy motra shqiptare hidhen nga kati i katërt, njëra humb jetën, tjetra në gjendje të rëndë

07.01.2025

Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Sampierdarena në Genova të Italisë, ku dy motra shqiptare vendosën t’i japin fund jetës duke u hedhur nga dritarja e katit të katërt të banesës së tyre.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës dhe ka lënë pas një skenë rrëqethëse: njëra prej tyre, 32 vjeç, humbi jetën në vend, ndërsa tjetra, 36 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin San Martino.

Viktima më e re, nënë e katër fëmijëve, ishte përballur me një histori të gjatë dhune psikologjike dhe presionesh nga ish-bashkëshorti i saj, të cilin ajo e kishte denoncuar disa herë për abuzim. Pavarësisht ndalimit të tij nga afrimi, i cili kishte skaduar disa muaj më parë, situata e saj mbeti e tensionuar. Ngjarjet e fundit, përfshirë një seancë të afërt gjyqësore për kujdestarinë e fëmijëve, duket se kanë rënduar gjendjen e saj psikologjike, duke çuar drejt kësaj tragjedie.

Të hënën, një ditë përpara ngjarjes, viktima kishte postuar në rrjetet sociale një mesazh që tani duket si një paralajmërim i zymtë: “Zot, po të pres.” Kjo shprehje duket se tregon për gjendjen e rënduar emocionale që ajo po përjetonte.

Sipas dëshmive të fqinjëve, ngjarja ndodhi pak para orës 8 të mëngjesit. Ata dëgjuan një zhurmë dhe më pas panë trupin e gruas së re në tokë. Ndërsa po përpiqeshin të ndërhynin, vunë re motrën e saj në parvaz dhe u përpoqën t’i bërtisnin për të mos u hedhur, por përpjekjet e tyre ishin të kota.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore. Viktima më e vogël u shpall e vdekur, ndërsa motra e saj u intubua dhe u dërgua në spital në gjendje kritike.

Katër fëmijët e viktimës më të re, të moshave nga pesë muaj deri në gjashtë vjeç, ndodheshin në shtëpi në momentin e ngjarjes. Sipas burimeve, ata hapën derën për forcat e emergjencës, pa qenë të vetëdijshëm për tragjedinë që kishte ndodhur. Tani, gjykata për të mitur pritet të vendosë mbi kujdestarinë e tyre.

Viktima kishte një marrëdhënie të tensionuar me ish-bashkëshortin e saj, i cili kishte ushtruar kontroll psikologjik mbi të, duke imponuar rregulla strikte si mbajtja e mbulesës dhe ndalimi për të vozitur. Konfliktet mes tyre kishin çuar shpeshherë në ndërhyrjen e policisë, por asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk ishte gjetur.


Prokuroria publike, e udhëhequr nga Luca Monteverde, po heton rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen psikologjike të dy motrave para aktit tragjik. Ndërkohë, komuniteti dhe autoritetet janë tronditur nga ngjarja dhe shprehin shqetësimin për fëmijët që tashmë kanë mbetur pa nënën e tyre