Skandal në Itali: Pesë shqiptarë të arrestuar, për katër breza shfrytëzonin gratë për prostitucion

para 39 dite

Një rrjet kriminal, i organizuar dhe drejtuar nga një familje shqiptare për katër breza, është zbuluar në Torino.

Skandal në Itali: Pesë shqiptarë të arrestuar, për katër breza shfrytëzonin gratë për prostitucion

Familja shqiptare, e vendosur në lagjet Barriera Nizza dhe Madonna di Campagna, e cila përfshinte stërgjyshin, gjyshin, babanë dhe djalin, kishte krijuar një sistem prostitucioni, ku detyronin gratë, qoftë partnere, bashkëshorte apo vajza të shfrytëzoheshin për përfitime financiare.

Ky aktivitet i paligjshëm u zbulua falë një hetimi të thelluar nga agjentët e Squadra Mobile, duke nxjerrë në pah shfrytëzimin e grave shqiptare në disa lagje të Torinos, përfshirë Barriera Nizza dhe Madonna di Campagna. Pesë persona tashmë janë marrë në masa sigurie, të akuzuar për vjedhje, ndihmë dhe shfrytëzim të prostitucionit, si dhe ndihmë në emigracion të paligjshëm.

Hetimet nisën pas një ngjarjeje tragjike: në vitin 2021, Sonila, një vajzë shqiptare vetëm 21-vjeçare, u gjet e vdekur në banesën e saj, ndërsa i biri i vogël ndodhej aty pranë. Autoritetet dyshojnë se ajo ishte viktimë e presionit dhe kërcënimeve nga rrjeti kriminal, të cilët mund ta kishin shantazhuar me shpërndarjen e fotove private në Shqipëri. Frika dhe izolimi i saj ndoshta çuan drejt aktit fatal të vetëvrasjes.

Ky rast tronditi gratë e tjera të përfshira në rrjet, të cilat, për vite me radhë, jetuan me frikën se mund të përfundonin si Sonila.

Shkëndija e hetimeve filloi pas një grabitjeje në maj 2022, ku dy vëllezër shqiptarë sulmuan një grua të detyruar të prostituohej. Dyshohet se konflikti lindi për kontrollin e zonave të prostitucionit dhe përfundoi me dhunë të përshkallëzuar, ku përfshiu edhe “mbrojtësit” e rrjetit.

Gjithsej nëntë persona, të gjithë shqiptarë, janë arrestuar, ndërsa dy shtetas italianë janë ndaluar nga qëndrimi në Torino për lidhje të mundshme me këtë organizatë.

Etiketat

Ofertat e fundit