Shqiptari i dënuar për drogë arratiset nga burgu në Itali, aksion i madh për ta kapur

24.01.2025

Një alarm i kuq është shpallur në provincën e Ankonës, pasi një i dënuar shqiptar, Xhevdet Plaku, 44 vjeç, arriti të arratiset nga burgu i Barcaglione.

Ngjarja ndodhi dje në mëngjes, kur Plaku, i cili po kryente një dënim për trafik droge, u përfshi në një punë rutinë jashtë mureve të burgut dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë.

I dënuari shqiptar, falë sjelljes së mirë në burg, kishte fituar privilegjin të punojë jashtë mureve të burgut pa shoqërues. Dje në mëngjes, rreth orës 8:30, ai u përfshi në një detyrë të zakonshme: pastrimin e kazermave të agjentëve dhe zyrave të menaxhimit. Por, në vend që të kthehej në burg, Plaku vendosi të shfrytëzojë rastin dhe të arratiset. Zhdukja e tij u zbulua rreth orës 11:30, gjatë kontrollit të rutinës së të burgosurve.

Që nga momenti i arratisjes, policia italiane ka nisur një operacion të gjerë për të kapur Plakun. Skuadrat speciale, helikopterët dhe qentë e kërkimit janë angazhuar në këtë operacion, duke përqendruar vëmendjen në zonat rurale përreth burgut. Sipas mediave italiane, Plaku besohet se është larguar me këmbë nëpër fusha.

Xhevdet Plaku është një shtetas shqiptar me një të kaluar kriminale. Përveç dënimit për trafik droge, ai është i njohur edhe për episode të tjera me ligjin në të kaluarën.