Sherr me thika në Itali, dy shqiptarë të plagosur – një 25-vjeçar në rrezik për jetën
Hetimi i Karabinierëve në Itali pritet të sqarojë rrethanat e një ngjarjeje të rëndë të ndodhur të mërkurën mbrëma në Katania, ku dy të rinj shqiptarë u plagosën me thikë gjatë një sherri me dy shtetas tunizianë.
Foto: Ilustrim
Incidenti ndodhi rreth orës 23:00, me shumë gjasë në Via Vittorio Emanuele. Sipas rindërtimeve të para, konflikti ka nisur mes dy të rinjve shqiptarë, njëri i mitur, dhe dy burrave tunizianë, gjithashtu njëri i mitur, të cilët ishin refugjatë në qytet. Sherri duket se u nxit nga motive të parëndësishme, me dyshime se përfshihej edhe një vajzë e re, raporton platforma urgjent.com.
Në kulmin e grindjes, njëri nga katër të rinjtë nxori thikën dhe goditi dy shqiptarët. Si pasojë, i mituri shqiptar u dërgua në Spitalin Policlinico me lëndime të lehta, ndërsa 25-vjeçari pësoi shtatë plagë me thikë, përfshirë një dëmtim serioz në mushkëri. Ai u shtrua menjëherë në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Cannizzaro të Katanias dhe gjendja e tij mbetet kritike.
Telefonata të shumta u drejtuan në numrin emergjent 112, ndërsa ambulanca nga Bronte, Maletto dhe Randazzo, si dhe dy patrulla karabinierësh, mbërritën në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Fillimisht ishte kërkuar ndërhyrja e një helikopteri sanitar, por të dy të rinjtë u transferuan përfundimisht drejt Catanias me autoambulancë.
Ndërkohë, dy tunizianët e përfshirë në sherr nuk janë ndaluar, por mbeten të lirë deri në sqarimin e plotë të pozicionit të tyre nga hetimet.