Përleshje mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërsië në Itali, një i ri përfundon në spital

29.11.2024

Një i ri nga Kosova, i lindur në vitin 1999, është transportuar në urgjencën e spitalit Cattinara në Trieste, pas një sulmi që ka ndodhur në mbrëmjen e 28 nëntorit. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.

Ngjarja ndodhi në të njëjtën natë kur komunitetet shqiptare ishin mbledhur në Piazza Garibaldi për të festuar 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ngjarja ndodhi në zonën e kanalit të madh në Via Rossini, Trieste, në orët e vona të natës. I riu kosovar, i cili është i njohur për autoritetet lokale, ka marrë plagë të shumta në fytyrë dhe në njërën dorë, për shkak të sulmit të dhunshëm nga dy persona të nacionalitetit shqiptar. Sulmuesit u larguan para mbërritjes së policisë.

Sipas dëshmive, viktima ndodhej në barin “Le Delizie”, pranë Via Filzi, kur dy personat shqiptarë e sulmuan papritur. Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit, ndërsa policia po heton për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.

Në të njëjtën mbrëmje, në Piazza Garibaldi, rreth 200 persona ishin mbledhur për të festuar 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Përkundër ngjarjes së pakëndshme në Via Rossini, aty flamujt shqiptarë dhe kosovarë valëviteshin krah për krah, duke simbolizuar unitetin mes tyre. Festimet vazhduan deri vonë, me një atmosferë të qetë dhe festive.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për rastin, duke kërkuar të identifikojnë dhe të ndalojnë autorët e sulmit.