Itali, 60-vjeçari italian qëllon shqiptarin gjatë grabitjes, tridhjetë shqiptarë i shkojnë në derë për hakmarrje

28.06.2025

Një skenë që ngjante me një film tensioni ndodhi mbrëmjen e kaluar në Foria di Centola, në jug të Italisë, ku një grup prej rreth tridhjetë qytetarësh shqiptarë, të ardhur nga provinca e Casertës, u paraqitën para shtëpisë së një ndërtuesi 60-vjeçar italian, i njohur me inicialet A.V., i cili ishte i përfshirë në një incident të armatosur vetëm pak ditë më parë.

Grupi mbërriti me disa makina, mes tyre edhe mjete me motorë të mëdhenj, duke krijuar menjëherë një atmosferë të tensionuar. Sipas burimeve lokale, dyshohet se qëllimi i tyre ishte një përballje me ndërtuesin, ndoshta si reagim ndaj plagosjes së një të riu shqiptar, vetëm 20 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të Napolit pas të shtënave të ndodhura gjatë një tentative për grabitje.

I riu i plagosur raportohet se ishte pjesë e një bande që kishte sulmuar dy banesa të izoluara në zonën e Cilentos. Gjatë përpjekjes së dytë për grabitje, ndërtuesi italian hapi zjarr, duke goditur shqiptarin. Një tjetër person, 23 vjeç, gjithashtu i dyshuar si bashkëpunëtor në grabitje, thuhet se është plagosur dhe është ende në arrati. Karabinierët, në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile dhe familjarë të tij, janë në kërkim, ndërkohë që telefoni i tij është lokalizuar në një zonë pranë një fushe futbolli në San Severino di Centola.

Prania e grupit shqiptar para shtëpisë së A.V. u pa menjëherë si një kërcënim serioz. Karabinierët ndërhynë me dy patrulla për të garantuar sigurinë e banorit dhe për të parandaluar ndonjë akt hakmarrjeje. Që prej asaj nate, shtëpia e ndërtuesit është nën mbikëqyrje të përforcuar.

Hetimet vazhdojnë. A.V. është aktualisht nën hetim për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, ndërsa i riu shqiptar që ndodhet në spital është regjistruar si i dyshuar për tentativë grabitjeje. Një pjesë e sendeve të vjedhura është gjetur dhe sekuestruar, por autoritetet besojnë se ka ende anëtarë të bandës në kërkim.