Itali, shqiptari ndalohet në kufi me gati 70 mijë euro të fshehura në makinë
Një shtetas shqiptar, me banim në Belgjikë dhe me origjinë nga Zvicra, është ndaluar në pikën kufitare Brogeda, teksa transportonte gati 70 mijë euro të fshehura në një ndarje të fshehtë të makinës së tij.
Ngjarja ka ndodhur gjatë kontrolleve rutinë në vendkalimin e autostradës Como-Brogeda, ku ushtarakët e grupit Ponte Chiasso, së bashku me zyrtarë të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve, kanë ndaluar shqiptarin e lindur në vitin 1985. Fillimisht, ai ka deklaruar se mbante me vete vetëm 8000 euro, por agjitacioni i tij ka ngritur dyshime te autoritetet.
Pas një kontrolli më të detajuar të makinës, efektivët zbuluan një zgavër të fshehtë në ndarjen e dorezës, ku ndodheshin disa thasë celofoni me kartëmonedha të shumta, në euro dhe franga zvicerane, me një vlerë totale prej 69,280 euro.
Drejtuesi i mjetit është justifikuar duke thënë se po transportonte paratë për llogari të të tretëve dhe se destinacioni final ishte Shqipëria. Megjithatë, në përputhje me rregulloren e monedhës, autoritetet sekuestruan 70% të shumës së padeklaruar, duke konfiskuar 42,375 euro.
Hetimet mbi origjinën dhe destinacionin e parave vijojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të dhëna të tjera mbi këtë rast.