Itali, sherri për një vend parkimi përfundon me thika – shqiptari në kërkim për plagosje të rëndë

02.08.2025

Një incident i dhunshëm ndodhi pasditen e djeshme në qytetin italian Morrovalle, në zonën Trodica, ku dy persona me origjinë pakistaneze u goditën me thikë përpara një dyqani, dhe autori i dyshuar është një shtetas shqiptar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, pranë dyqanit “Acqua e Sapone” në rrugën “Via Dante Alighieri”. Sipas autoriteteve italiane dhe dëshmitarëve në vendngjarje, gjithçka nisi si një debat banal për një vend parkimi mes tre personave të huaj, por situata u përshkallëzua shpejt në një akt dhune.

Paraprakisht mësohet se grindja kishte nisur më herët në Montecosaro, dhe më pas vijoi në Trodica, ku ndodhi përplasja fizike. Burri shqiptar, i cili ndodhej me një grua dhe udhëtonte me një makinë tip “Giulietta” të kuqe, dyshohet se nxori një thikë dhe goditi dy pakistanezët, njëri prej të cilëve në mënyrë të rëndë.

Sipas raportimeve, pas sulmit, disa bashkëkombës të të lënduarve mbërritën në vendngjarje, e çarmatosën autorin dhe e sulmuan fizikisht, por ai arriti të largohej me automjetin e tij dhe është ende në kërkim nga karabinierët.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje mbërritën njësitet e emergjencës me një mjet mjekësor dhe tre ambulanca nga Croce Verde e Civitanova, Monte San Giusto dhe Morrovalle. Një 22-vjeçar pakistanez, i cili pësoi plagë serioze në krah, u transportua me helikopter drejt Spitalit Rajonal Torrette në Ankona. Mjekët kanë konfirmuar se jeta e tij nuk është në rrezik. Ndërkohë, i plagosuri tjetër është në gjendje më të qëndrueshme dhe po trajtohet në spitalin e Civitanovës.

Policia gjeti në vendngjarje armën e përdorur në sulm – një thikë e vogël – dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërkohë që autori i dyshuar vijon të jetë në arrati.