Itali, përleshje e dhunshme mes shqiptarëve dhe një grupi nga Afrika e Veriut – disa të plagosur

24.06.2025

Një përleshje e dhunshme mes një grupi shqiptarësh dhe një bande qytetarësh të Afrikës së Veriut ka ndodhur pasditen e djeshme në Piazza Bruno Buozzi, duke lënë disa të plagosur dhe duke shkaktuar panik mes qytetarëve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, kur tensionet mes dy grupeve shpërthyen në dhunë të hapur, me përdorim të shisheve dhe sulme fizike. Situata u përshkallëzua deri në atë pikë sa kërkoi ndërhyrjen e katër automjeteve patrulluese të policisë, dy ambulancave dhe një makine mjekësore për të trajtuar të plagosurit në vendngjarje.

Skenat e dhunës tronditën kalimtarët, familjet, klientët e dyqaneve dhe bareve që ndodheshin aty pranë, të cilët u bënë dëshmitarë të arratisjeve, kërcënimeve dhe përplasjeve mes grupeve.

Sipas informacioneve paraprake, gjithçka nisi pas kërcënimeve ndaj një familjeje shqiptare, e cila u detyrua të kërkojë strehim brenda një biznesi lokal. Më pas shpërthyen përleshjet me shishe dhe persona të lënduar.

Mendohet se konfliktet mes dy komuniteteve kanë qenë të vazhdueshme dhe të nxitura nga tensione të mbledhura për një kohë të gjatë, ndoshta edhe për arsye etnike ose kontroll mbi territorin.

Policia është duke hetuar për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një incident të rastësishëm apo për një problem më të thellë që rrezikon të përshkallëzohet.